Regjisori Edmond Budina tha në një intervistë për gazetaren e “News24”, Fatmira Nikolli, se policët u sollën në mënyrë kriminale ditën e djeshme, pasi shkuan të vrisnin artistët te Teatri Kombëtar. Budina iu bëri thirrje qytetarëve në mbarë Shqipërinë t’i bashkohen protestës së sotme, ndërsa shtoi se kryeministri Edi Rama po shfrytëzon situatën e koronavirusit për të ndaluar njerëzit. Sipas tij, edhe nëse qytetarët nuk lejohen të futen në Tiranë, të ngrihen nëpër qytetet e tyre kundër kësaj qeverie.

“Ne kemi treguar shumë qytetari në dy vite e gjysmë, ndërsa ata erdhën për të na vrarë. Mijëra force policie për 50 veta, po janë në vete mo, janë në metro? Është një mënyrë kriminale, me të cilën ata sillen ndaj kulturës së tyre. Ai teatër ishte i të gjithë qytetarëve të Tiranës, edhe i atyre që nuk janë më. Ne nuk kemi asnjë të drejtë të prishim trashëgimin që na e kanë lënë të parët tanë”, tha Budina.

Pjesë nga intervista:
Do vazhdoni protestat, do i bëni thirrje opozitës?
Për ne është i mirëpritur kushdo që ngrihet. Nëse partitë duan të na bashkohen, bujrum le të vijnë, nëse nuk duan, në djall vafshin. Unë nuk kam ndërmend të bëj parti politike, por lëvizja duhet të fillojë në mbarë vendin, sepse politika po sjell shumë dëm. Politikanët shqiptarë janë të paskrupuj dhe marrin vendime edhe në dëm të kombit. Ne jemi një lëvizje qytetare që do vazhdojmë të përkrahim qytetarët.

Dëgjoni çfarë tmerrin, si i përplasin, shkrryejnë e gërrmojnë. Ka ca njerëz që po pasurohen, sa po iu plas barku nga pasuria, dhe ka të tjerë që nuk kanë as një kafshore. Ndaj jemi këtu për t’iu thënë njerëzve të ngrihen.

Jeni për ndërtim teatri aty ku ishte, siç ka premtuar Basha?
Për mua po. Unë do insistoj deri në fund që teatri të ndërtohet ashtu siç ishte, por me parametra modern. Do ja kërkojmë edhe “Europa Nostra”, pasi ai teatër duhet të ngrihet aty, ashtu siç ishte. Dhe një teatër i ri le të ndërtohet diku tjetër. Ata kanë bërë krim, në zhdukjen e kulturës dhe kujtesës kombëtare, por edhe duke mbuluar gjëra të tjera. Hajdutërit janë në funksion. Ne e kemi respektuar këtë teatër, sepse e kemi dashur.

Keni një mesazh për qytetarët e Tiarnës për sot në orën 16:30, duke qenë se lëvizja e qytetarëve të tjerë është bllokuar?
Rastin e koronavirusit ai po e përdor pikërisht që njerëzit të mos vijnë. Megjithatë, edhe në mos i lënshin të vijnë këtu, të ngrihen në qytetet e tyre, kudo që janë, të mos i binden këtij shteti criminal, që nuk lejon qytetarët e saj të ngrenë zërin. Të gjithë së bashku, ne nuk kemi ndërmend t’i vëmë zjarrin Shqipërisë, por të sjellim një mendësi të re. Ata nuk janë padronët e këtij vendi, kushdo qofshin pozitë apo opozitë.

A jeni ndjerë i tradhtuar dje nga kolegë, miq, politikanë?
Tradhtia është pjesë e jetës, padyshim që jam ndjerë dhe i tradhtuar. Nuk mund të kuptoj asnjë artist që firmos ose hesht, kur e di që kemi të bëjmë me një aferë korruptive. Ne ishim të ndërtoheshin dy teatër, ata ishin që të shembej ky dhe të bëhej një teatër, por të gjithë ata që mendojnë kështu janë bashkëpunëtorë me krimin. Nëse unë kam bërë një vepër të turpshme, le të më gjykojnë qytetarët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb