Nga: FATMIRA NIKOLLI*

TIRANE – Një grua pa burrë me dy fëmijë me baballarë të ndryshëm, rreket të (mbi)jetojë në provincë me ndihmën e të dashurit. Një djalë që nuk e përballon dot një burrë në shtëpi, qoftë edhe për hir të nënës.
Një femër, që nuk dëgjon. Një femër e varfër që mbjell kopshtin, bën raki, salcë shtëpie, gatuan. Ajo nuk flet, jo me zë. Shikimet e saj të vëngra të përballin me një fytyrë të vrazhdë, të ashpër, me gjasë, si vetë jeta e saj, derisa ne njihemi me të. Përmes gjestikulacionit, ajo udhëheq tre meshkuj, dy djemtë (Adin e Denisin) e saj dhe të dashurin (Kujtimin), në një provincë të Shqipërisë, që në këtë rast është Bulqiza, në një marrëdhënie ku ngërthehet bashkëjetesa, autoriteti, respekti, dëshira për të ikur, paragjykimet e turpet e provincës. Përplasja nis kur në jetën e gruas hyn një mashkull! Djali vihet përballë familjes, minierës, të dashurit të nënës dhe përpjekjes për të mbijetuar.

“Me veten time qeshja me skenarin. Unë nuk kam dashur të merrem me kromin në vetvete, fokusi im ka qenë që në fillim tek familja. Ju e patë që në film nuk jepet një shfrytëzim makabër i fëmijëve në mbledhjen e kromit, sepse nuk ka qenë ky qëllimi, qëllimi ishin marrëdhëniet e ngushta e shumë të forta mes anëtarëve të një familjeje. Do vazhdoj të jem besnik ndaj këtyre temave dhe fokusimit te femra, sepse do më duhej një jetë tjetër që të trajtoj meshkujt”. Bujar Alimani, skenarist e regjisor i filmit “Krom”, e shpjegon kështu para mediave skenarin e tij, përtej titullit. Filmi nuk merret as me bandat e kromit, as me shfrytëzimin e të miturve (sikundër mund të jetë pritur). Disa prej skenave janë xhiruar në ambiente të jashtme miniere. Drama nënkuptohet, por nuk thuhet.

Adi, i interpretuar nga Fredjon Ruçi, portretizon të riun e provincës, herë djalin e mbarë e të bindur, e herë tjetër dëshirën e tij për të fituar të ardhura, përplasjen me familjen, herë si e tillë, e herë me të dashurin e nënës si figura mashkullore e tepërt.

Nëna, interpretuar nga Klodjana Keço, vjen e heshtur për të përcjellë pamundësinë e femrës për të folur, pra si metaforë, nga ana tjetër ajo ia del të mbajë gjallë një familje, herë përmes forcës e pamjes së vëngër e herë përmes dashurisë. “Agresiviteti im në rolin e nënës ka të bëjë me faktin se ajo nuk është marrë asnjëherë si një njeri normal nga shoqëria, aq më tepër në Bulqizë. Një pikë e rëndësishme ka qenë analiza e rolit, kemi rënë dakord me Bujarin që ajo mund të jetë një vajzë e rritur nga gjyshi e gjyshja, që nuk ka pasur një nënë afër. Kam krijuar për një biografi, ndryshe nuk mund t’ia dilja”, thotë Keço, që ka ngritur një personazh që i duhet të jetë njëherësh i fortë dhe i dobët. “Roli i saj nuk është i heshtur, karakteri që ka është aq i fuqishëm. Heshtja është një metaforë e heqjes së fjalës, e vendimit, e vendimmarrjes së femrës në zona shumë largëta ku femra nuk ka pushtet. Por unë mbaj mend nënën time dhe gjyshet, që edhe pse ishin femra, gëzonin pushtete të nëndheshme, të dyfishta. Dukej sikur ishte mashkulli në plan të parë, por në fakt, gjithçka bëhej prej tyre, gjithçka menaxhohej prej tyre”, sqaron Alimani, i cili rrëfen më poshtë se “këto kanë qenë nënshtresat e mia të skenarit kur e kam shkruar. Nuk ka qenë kështu pak para se të aplikoja në QKK. Një muaj përpara hoqa një pjesë, për shkak të një konflikti me nënën time. Unë e dua atë shumë, por patëm një konflikt për shkak të të cilit ndryshova një pjesë të skenarit”.

Mësuesja, Mirela Naska sjell njeriun e rebeluar me familjen e vet, që qëndron afër nxënësve, që pëlqen rokun, por gjen gjithnjë rrugën e drejtë për ata më të rinjtë. “Fakti që është dashuruar me rokun tregon se ka një të kaluar konfliktesh me prindërit. Filmi në fillim ishte 96 minuta dhe kam hequr 24 minuta”, thotë Alimani. Ai tregon se ka vënë përballë djalit dy femra: njërën që jeton në një provincë dhe tjetrën që ka ikur nga Tirana, një mësuese rokere. Regjisori pranon se janë hequr shumë pjesë, por pa e prekur thelbin. Pyetjes se cilat pjesë identifikohen me të, Alimani i përgjigjet: “Janë të dhëna dhe karakteristika që në jetën time më kanë shoqëruar vazhdimisht, kështu që unë jam tek të dyja personazhet, nëna dhe mësuesja. Unë vij nga një qytet i vogël, kam jetuar në katin e dytë të një pallati e nuk e njoh fshatin. Në film kam operuar me metaforat. Karrigia nuk është vetëm karrige me krom mbi të”.

Mirela Naska (mësuesja) e shpjegon rolin e saj, duke shënuar se djalit i mëson një gjë të rëndësishme, përtej rebelimit, e mira është familja, “ndaj e çoj gjithnjë aty, pranë familjes”.

Përtej fotografisë së kuruar mirë nga Ilias Adamis, e ngjyrës gri të provincës (ku të ngërthen mendimi; a mund të jetohet në këto anë), liqenit të turbullt, rrugëve të gjata për në shkollë, filmi përcjell plota ngjyra. Kostumet e personazheve nuk tregojnë mjerim, mbase as qepët e varura në mur, mbase as rakia që bëhet në vjeshtë, mbase as vaditja e domateve, as çizmet e mbytura në llucë – ato janë imazhi i provincës, që edhe pse shumë larg, të përcjell një ide shprese.

“Filmi ka edhe elemente të asaj që kemi parë atje. Të rinjtë e njihnin mirë teknologjinë dhe ne nuk deshëm të shisnim imazhin tonë keq, si një vend ekzotik, një vend ku ka tema të veçanta”, tha Alimani.
Fredjon Ruçi (Adi), një djalosh nga Bulqiza që ende jeton atje, mungoi në konferencë. Alimani u shpreh se nuk ka rrezikuar me të, edhe pse ai nuk është aktor e përtej kësaj, mban peshën kryesore të filmit. “Ai i shkonte shumë imazhit tonë për personazhin. Kemi punuar me tekstin. Ka bërë të pamundurën me 10-12 orë xhirime. Mendoj se nuk kam rrezikuar me të dhe se ai është pikë e mirë e filmit”.

Mungoi në konferencë, por në film zë një vend të mirë, Kasem Hoxha, që luan rolin e Kujtimit, të dashurit të gruas. Herë me kujdesin e babait, e herë me atë të të dashuruarit, ai përpiqet të gjejë vendin e tij në familje. Ai është më shumë si duhet të ishte burri i provincës, se sa si është. Hoxha e ka veshur mirë lëkurën e personazhit, qoftë në dialog e qoftë në gjestikulacion.

(Në role më të vogla janë: Denisi nga Denis Shira, Mësuesi nga Bledar Naska, Bardha nga Erjona Kaja, gruaja në minierë nga Suela Bako, inxhinieri nga Xhevdet Doda, nëna e Sokolit nga Albulena Kryeziu, ndërsa xhirimet në ‘RockStock’ tregojnë Elton Dedën duke kënduar).
“Krom”, i mbështetur nga Qendra Kombëtare e Filmit, del në kinema pas datës 12 nëntor.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: