Bujar Lika, futbollisti 25-vjeçar i Grasshopersit në Zvicër, është thirrur për herë të parë në kombëtaren kuqezi nga trajneri Christian Panucci. Lika në konferencën për shtyp ka treguar se për të nuk ishte aspak e vështirë të zgjidhte Shqipërinë.

Kontakti i parë me Panucci-n?

Më ka thirrur Panucci para një jave kur kisha ndeshje me Young Boys. Më ka kontaktuar në telefon dhe kam folur me të. Ishte e lehtë të zgjidhja Shqipërinë. Për mua ishte shumë e lehtë. Jam krenar që jam shqiptar.

Pse kaq vonë kjo ftesë?

Kam luajtur në ligën e dytë zvicerane. Kam pasur edhe dëmtime. Besoj se këtë sezon kam mundur të tregoj vlerat e mia.

A ka pasur një ftesë nga përfaqësuesja kosovare?

Unë kam zgjedhur Shqipërinë. Nga Kosova nuk kam pasur ftesë. Nuk kam pasur nevojë ta mendoj dy herë ftesën e Shqipërisë.

Situata midis Shqipërisë dhe Kosovës…

Kam ëndërruar të luaj vetëm për Kombëtaren kuqezi. Pres të aktivizohem në këto miqësore. Jam i lumtur për vendimin. Është kënaqësi e madhe edhe për familjen time.

Më kanë pritur shumë mirë. Disa lojtarë edhe i njoh. Është atmosferë shumë e mirë. Është një shans i madhe për mua për të treguar vetën. Panucci nuk më ka premtuar asgjë.

Është rritur vlera e Kombëtares?

Është e vërtetë që është rritur. Edhe te klubi i Grasshopersit janë gëzuar shumë, si lojtarët edhe drejtuesit. Është vlerë e madhe të luash për Kombëtaren e Shqipërisë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb