TIRANË

Ish-Presidenti i vendit, Bujar Nishani ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” duke sulmuar Edi Rama, i cili  shprehet se Shqipëria ka tashmë një kryeministër në Ilegalitet.

Duke iu referuar takimit të shefit të qeverisë me dekanë dhe pedagogë të fakultetit të Gjeologji-Minierave, Nishani shkruan se ky takim nuk kishte asnjë njoftim të shpërndarë për mediat, por zgjodhi të bënte monolog.

“Një Kryeministër në ilegalitet !Të dashur miq, që nga dje shqiptarët kanë një Kryeministër në ilegalitet.

Një kryeministër që takon njerëzit e vendit të vet në ilegalitet, një kryeministër që bën mononolog në ilegalitet.

Kjo ishte e pa parë. E pamë edhe këtë ! Pas sjelljes dhe fjalorit skandaloz që Kryeministri përdori me rektorët dhe dekanët e thirrur përdhunëshëm për të dëgjuar fyerjet dhe tallavanë kryeministrore me ta, u përhap me kujdes lajmi se Kryeministri do të “dialogonte” me pedagogët dhe studentët e Falultetit Gjeologji Miniera.

Askush nuk dinte se ku sakstësisht mbahej ky takim, kush ishte në këtë takim, çfar u tha kryeministri auditorit të tij apo se çfarë i thanë të pranishmit gjithollogut. Ai, që nuk lë kamera e televizion pa ngrehur për tu treguar shqiptarëve sa bukur e ka vizatuar një flutur kur i bie të futet në zyrë, u zhduk nga “radari” i opinionit publik, gazetaresk e mbi të gjitha studentor që presin të dëgjojnë e shikojnë përgjigjet e tij për ta.

Monologu në ilegalitet i Kryeministrit tentoj të fsheh fytyrat e terrorizuara të atyre pak pedagogëve që ishin me të, të fsheh fytyrat e alarmuara dhe përvuajtura të atyre pak studentëve freshistë që përpiqen natë e ditë për grevëthyerje.

Por ai monolog megjithëse në ilegalitet nuk arriti të fsheh asgjesimin e Autonomisë Universitare e Akademike prej tij.

Fytyrat e atyre pak lektorëve në atë sallë të errët, rrethuar nga mbrojtja policore, treguan asgjesimin e asaj autonomie. Asgjesim, siç është asgjesuar autonomia dhe pavarësia e drejtësisë, siç është asgjesuar autonomia apo pavarësia ekonomike e shqiptarëve duke i varfëruar, siç është asgjesuar vetëdija shoqërore e një populli të tërë duke detyruar të emigrojë pjesën më vitale dhe trurin e tij.

Në fakt një kryeministër që urren studentët dhe urrehet nga studentët, që urren popullin dhe urrehet nga populli nuk mund të veproj publikisht, hapur e në transparencë, por veçse në ilegalitet.

Studentët, dje e arritën fitoren e parë esenciale. Ata e nxorrën kryeministrin e dështuar në ilegalitet. Por një kryeministër në ilegalitet nuk u duhet shqiptarëve”, shruan Nishani.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb