Liberali rumun, Ludovic Orban, emëruar kryeministër pas rrëzimit të ekzekutivit të majtë, zbuloi sot një qeveri në minorancë, mundësitë e të cilës për të marrë besimin e Parlamentit duken të vogla.

“Rumania ka nevojë për një qeveri që ta rikthejë në rrugën e duhur”, deklaroi Orban në një konferencë shtypi përkrah 17 anëtarëve të ekipit të tij.

Qeveria e re është formuar vetëm nga përfaqësues të partisë liberale (PNL), që disponon vetëm 96 vende në Parlament nga 465 të tilla. Dy ministrat e emëruar janë të pavarur, diplomati Bogdan Aurescu, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe shefi i shtabit të përgjithshëm, Nicolae Ciuca, i ngarkuar me Mbrojtjen.

Ludovic Orban, kreu i PNL-së, u ngarkua për të formuar një ekip të ri për të drejtuar vendin pas rrëzimit të ekzekutivit social-demokrat të ish-kryeministres, Viorica Dancila, rrëzuar me një mocion mosbesimi më 10 tetor.

Ish-minsitri i Transporteve, Orban shpreson që qeveria e tij të marrë besimin e Parlamentit në sajë të mbështetjes së pesë formacioneve me të cilat ka diskutuar.

Liberalët kanë kërkuar që votëbesimi të zhvillohet më 30 tetor, por PSD kërkon që të shtyhet deri më 4 nëntor.

Kryeministri i emëruar ka nevojë për mbështetjen e 233 parlamentarëve.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb