TIRANË- Banorët që preken nga ndërtimi i Bulevardit të ri të Tiranës kanë dalë sërish sot në protestë duke deklaruar se nuk do të lejojnë prishjen e banesave të tyre me shpronësimet e vendosura nga Bashkia. Ata thanë se kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj nuk e ka pranuar kërkesën e tyre për ndërtimin e një pallati vetëm për këta banorë, ndaj janë të detyruar për mosbindje civile.

“Bashkia nuk e pranoi kërkesën tonë. Ne jemi para një fakti të kryer. Ne nuk bëjmë presion, protestojmë për të drejtën tonë. Hajde të gjejmë zgjidhje për ligje që ka vendosur shteti shqiptar. Në momentin që s’kemi zgjidhje, jemi për mosbindje civile”, deklaruan banorët.

Ata i bënë thirrje kryeministrit dhe trupit diplomatik që të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.

“Kryeministri të shikojë problemin, të sjellë stafin për verifikim. Apel trupit diplomatik. I bëjmë thirrje njerëzore. Shteti shqiptar po na i merr shtëpitë badihava”, pohuan banorët.

Ata kanë shkuar më pas tek Ambasada Amerikane ku kanë dorëzuar kërkesat e tyre. “Ato që nuk na i zgjidh Veliaj shpresojmë te ambasada”, thanë banorët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb