TIRANE- Banorët që preken nga ndërtimi i bulevardit të ri të Tiranës, në zonën e Stacionit të Trenit, kanë bllokuar rrugën, për të mos lejuar shembjen e banesave të tyre. Ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur fadromat, për shembjen e 10 banesave të para, banorët janë grumbulluar në krye të rrugës, dhe kanë qelluar me mollë dhe kapsolla në drejtim të forcave të policisë. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, tre gra janë ndjerë keq dhe kanë humbur ndjenjat.

Sipas gazetarit Mariglen Mërtiri, banorët kanë deklaruar se nuk kanë qëllim të përplasen me policinë dhe u kanë bërë thirrje forcave të rendit të mos i provokojnë.
Përfaqësuesi i banorëve, Pirro Demiraj tha se qytetarët kërkojnë hakun e tyre, por institucionet i kanë veshët të shurdhët.

“Jemi duke zbatuar mosbindjen civile. Çfarë na solli deri këtu, ishte një mosdëgjim nga instancat e shtetit shqiptar. Ju lutemi ambasadave edhe njëherë shpejtoni pak, mësojini këta njerëz të zgjidhin hallet e popullit. Po strehoni muhxhahedinë, njerëz në nevojë, ne na lini në shtëpitë tona. Kjo është një punë e dobët e Bashkisë. Të na japin hakun tonë që na takon. I kemi dhënë zgjidhje, bërjen e pallatit, por i kanë veshët të shurdhët.”- deklaroi Demiraj.
Sipas banorëve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj nuk e ka pranuar kërkesën e tyre për ndërtimin e një pallati për këta banorë buzë bulevardit të ri që do ndërtohet. Ndaj sipas banorëve, e vetmja zgjidhje për ta është mosbindja civile.

“Është çmenduri që në demokraci të të nxjerrin me zor nga shtëpia. Jemi autoktonë, kemi lindur e po plakemi në këto shtëpi. Në rrugë nuk dalim kurrë. Protestë mosbindjeje civile, le të bëhet masakër”, – kanë thënë banorët.

Ndërkohë, Bashkia e Tiranës u ka lënë pesë ditë afat 10 familjeve të tjera që u kanë shkuar letrat për të liruar banesat pasi do iu shemben shtëpitë për t’i hapur rrugën projektit për ndërtimin e bulevardit verior të Tiranës dhe rehabilitimit të Lumit Tirana.

BASHKIA: TË GATSHËM PËR TË OFRUAR ZGJIDHJE
Bashkia e Tiranës ka reaguar ndaj protestave të ditëve të fundit të banorëve që preken nga shpronësimi për zhvillimin e projektit të Bulevardit të ri, duke shprehur gatishmërinë për të komunikuar me përfaqësuesit e familjeve të prekura nga shpronësimet për alternativën e propozuar prej saj, duke ofruar si zgjidhje për strehimin e familjeve te shpronësuara banesa sociale ose bonus qeraje. Bashkia e Tiranës, nëpërmjet një njoftimi zyrtar, ka sqaruar se është e gatshme të ndihmojë të gjitha familjet në fjalë dhe të ofrojë zgjidhje brenda hapësirave ligjore, por nga ana tjetër, bën me dije se shpronësimi për interes publik, i pronarëve dhe poseduesve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës”, është bërë me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 752, datë 5.9.2013′.

Po ashtu, referuar këtij vendimi, “Bashkia e Tiranës është përcaktuar që të shpërndajë dëmshpërblimet për pronarët dhe poseduesit e pasurive të paluajtshme, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelat bashkëlidhur VKM-së dhe që janë pjesë përbërëse të këtij vendimi. Roli i Bashkisë së Tiranës në këtë proces është të dëmshpërblejë familjet sipas tabelës shoqëruese të VKM nr. 752, datë 5.9.2013 dhe nuk ka asnjë funksion në përcaktimin e çmimit të shpronësimeve’.

Protesta & kërkesat
Janë me qindra qytetarë që preken nga ndërtimi i bulevardit të ri të Tiranës që kanë dalë sërish në protestë, duke deklaruar se nuk do të lejojnë prishjen e banesave të tyre me shpronësimet e vendosura nga bashkia.

“Bashkia nuk e pranoi kërkesën tonë, e cila u pranua dhe nga drejtori i tij, Genci Kojdheli në ballafaqimin që pati me ne në një emision televiziv. Ne jemi para një fakti të kryer. Ne nuk bëjmë presion, protestojmë për të drejtën tonë. Hajde të gjejmë zgjidhje për ligje që ka vendosur shteti shqiptar. Në momentin që s’kemi zgjidhje, jemi për mosbindje civile. Ne shtëpitë tona nuk i lëmë, se nuk do dalim në rrugë me fëmijë e pleq”, deklaruan banorët.

Nga ndërtimi i bulevardit, më të ‘djegurit’ janë ata banorë që i kanë banesat në proces legalizimi dhe nuk përfitojnë as nga VKM-ja e vitit 2013, ku është miratuar shpronësimi vetëm për 262 pronarë. Por edhe këta pronarë kërkojnë ndryshimin e vlerës së shpronësimit, pasi është shumë e ulët.

Ndaj qytetarët u bëjnë thirrje kryeministrit dhe trupit diplomatik që të gjejnë zgjidhje për këtë çështje.

“Kryeministri të shikojë problemin, të sjellë stafin për verifikim. I bëjmë apel trupit diplomatik. I bëjmë thirrje njerëzore. Shteti shqiptar po na i merr shtëpitë falas, me shpronësim me vlera qesharake”, pohuan banorët.

Vlera e shpronësimit për pronarët që preken nga ky ndërtim është miratuar nga qeveria “Berisha” në shtator të vitit 2013, dhe është 26.137 lek/m² për truallin te Zona Kadastrale 8330 dhe 23.217 lek/m² në Zonën Kadastrale 8340, ndërsa vlera e plotë e shpronësimit është gati 1.8 miliardë lekë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: