BULLGARI- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani gjatë qëndrimit në kryeqytetin bullgar zhvilloi një takim të veçantë edhe me homologun e tij Rosen Plevneliev, ku kërkoi intensifikim të bashkëpunimeve mes dy vendeve, sidomos në aspektin ekonomik dhe tregtar. Nishani i shprehu homologut të tij edhe njëherë ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit bullgar Zhelju Zhelev.

Gjithashtu gjatë takimit u bisedua mbi bashkëpunimin dypalësh, rajonal dhe atë euroatlantik. Presidenti i Republikës vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dhe historike mes dy vendeve dhe dy popujve, si dhe theksoi se klima aktuale e bashkëpunimit duhet të shoqërohet edhe me zhvillim të marrëdhënieve ekonomike e tregtare, pasi ato janë larg atyre politike.
“Ne duhet të bëjmë të gjitha përpjekjet për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, veçanërisht në kushtet aktuale, kur Shqipëria është vend kandidat në Bashkimin Evropian dhe Bullgaria një Vend Anëtar i saj”,– u shpreh Kreu i Shtetit.

Presidenti Nishani e siguroi mikpritësin e tij bullgar se vizita e tij e ardhshme në Sofje do t’i japë një impuls të ri zhvillimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Në këtë kontekst, Presidenti Nishani e informoi homologun e tij se gjatë vizitës synon të shoqërohet nga një grup sipërmarrësish shqiptarë për të nxitur edhe më tej bashkëpunimin ekonomik konkret midis sipërmarrjeve shqiptare dhe atyre bullgare, çka gjeti miratimin dhe mbështetjen e plotë të Presidentit Plevneliev.

Presidenti i Republikës vlerësoi gjithashtu rolin e Bullgarisë në rajon dhe në Bashkimin Evropian duke shprehur besimin se, me eksperiencën e saj të aderimit në Bashkimit Evropian, ajo mund t’i japë një ndihmesë të vyer, Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të rajonit. Nishani vlerësoi kontributin e Bullgarisë në organizatat rajonale dhe e garantoi homologun e tij bullgar se integrimi në Bashkimin Evropian është dhe mbetet projekti kryesor dhe i vetëm strategjik i Shqipërisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb