Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi shkoi në Shkup nga Sofja, ku nuk arriti të bind autoritetet bullgare për zhbllokimin e rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt integrimit në BE. Vizita e tij në Shkup po kalon pa shumë bujë. Autoritetet qeveritare nuk njoftuan axhendën e takimeve, e as vetë zoti Varhelyi nuk dëshiroi të fliste me gazetarët.

Komisioneri shkruajti në Twitter menjëherë pas takimit me kryeministrin maqedonas për zotimet mbi vazhdimin e përpjekjeve për të filluar bisedimet para përfundimit të presidencës franceze me BE-në. “Nuk ka kohë për të humbur lidhur me shpejtimin e procedurave”, theksoi zoti Varhelyi. Nga kabineti i Kryeministrit Dimitar Kovaçevski thonë se ka pajtueshmëri në Bruksel se tani është momenti për heqjen e bllokadës së integrimeve evropiane ndaj Maqedonisë së Veriut dhe se “në të kundërtën kjo do të mbetej çështje e hapur për një kohë të gjatë dhe se kjo gjë nuk është në të mirë të askujt”.

Komisioneri u shpreh të martën në Sofje se ndihej jashtëzakonisht i zhgënjyer për ngërçin, ndërkohë që BE-ja kishte vlerësuar se data për hapjen e negociatave ishte dashur t’u jepej Shkupit dhe Tiranës qysh para dy vjetësh.

“Kur e trashëguam bllokadën në bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, po ashtu trashëguam një rajon ku hendeku social dhe ekonomik midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit është një nga sfidat kryesore të këtyre vendeve në përpjekjet për t’u bërë pjesë e BE-së, pa përmendu këtu çështjen e reformave institucionale, të cilat duhet të bëhen”, u shpreh zoti Varhelyi në konferencën e Sofjes.

Po në të njëjtin panel, ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut Bujar Osmani la të kuptohej se besimi ndaj Bashkimit Evropian tek qytetarët e Maqedonisë së Veriut po bie për shkak të pritjes së gjatë, ndërsa theksoi rrezikun nga propaganda ruse kundrejt bllokimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Megjithatë, Bullgaria duket se nuk po heq dorë nga kushtet e vëna fqinjit më të vogël dhe së fundmi qeveria në Sofje ka ritheksuar se Shkupi së pari duhet ta fusë pakicën bullgare në kushtetutë, në mënyrë që Bullgaria ta heqë veton për hapjen e bisedimeve në Bruksel.

Maqedonia e Veriut i konsideron këto si kërcënime dhe nënçmime, por nuk dëshiron nga ana tjetër të shkëputet nga procesi i lidhur i integrimeve në BE me Shqipërinë fqinje./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: