Bullgaria nuk do të heqë veton për fillimin e negociatave ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, por nga ana tjetër është e gatshme të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit, njoftoi sot qeveria tranzitore bullgare, raportoi BGNES.

Ky qëndrim u miratua sot nga kabineti qeveritar i kryeministrit të përkohshëm Stefan Janev para pjesëmarrjes në Këshillin Evropian më 14 dhjetor. Bullgaria do të përfaqësohet nga Presidenti Rumen Radev, nëse deri atëherë nuk zgjidhet një qeveri e rregullt në parlamentin e 47-të, përcjell INA.

“Bullgaria do t’i përmbahet Deklaratës së Asamblesë Kombëtare të datës 10 tetor 2019 në lidhje me zgjerimin e BE-së dhe Procesin e Stabilizim-Asociimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe qëndrimin kornizë për perspektivën evropiane.

Për Bullgarinë, parimi themelor i meritave të secilit kandidat mbetet vendimtar. Bullgaria beson se Shqipëria është e gatshme për progres në rrugën drejt BE-së dhe është e gatshme të mbështesë miratimin e Kuadrit Negociator për vendin dhe mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare”, tha Këshilli i Ministrave.

Sipas njoftimeve, këtë qëndrim Bullgaria do ta mbrojë në mbledhjen e Këshillit për Punë të Përgjithshme që do të mbahet më 14 dhjetor në Bruksel.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb