Pas Hungarisë, kryeministri Edi Rama është ndalur në Bullgari, ku ka zhvilluar një takim me homologun Stefan Janev. Gjatë një konference për shtyp, kryeministri Rama ka folur për zgjidhjen e konfliktit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, që po mban peng rrugën europiane të maqedonasve, por edhe të Shqipërisë.

Mes të tjerash, Rama është pyetur nga gazetarët për mosnjohjen e Kosovës nga Serbia, duke thënë se “Duhet ta kishte njohur Kosovën shumë kohë më parë. Çdo ditë që kalon është një ditë më tepër që vonon atë çka është gjëja e duhur për t’u bërë, por shpresoj që përmes dialogut njohja e ndërsjellë do të vijë”.

Ndërsa, më tej, kreu i qeverisë shqiptare u ndal më gjatë te konfliktet e fundit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke iu bërë thirrje të dyjave palëve që të bisedojnë, të flasin dhe të gjejnë zgjidhje.

“E di që në Bullgari ka një qeveri kujdestare. Keni zgjedhje të reja. Këto janë tema, që ndonjëherë kanë prirjen të shkojnë nga mendja në stomak e më pas bëhen më të vështira, por mendoj se Bullgaria si anëtare e BE është e pjekur dhe ka gjithçka. I nevojitet për të kujtuar veten, kur gjendej në të njëjtën pozitë. Të nxitë së bashku me Maqedoninë e Veriut për të dalë nga kjo situatë. Kjo është qasja ime për këtë. Do të thoja që qëndrimi ynë si Shqipëri është qëndrim për të cilin askush nuk duhet të na ketë zili. Jemi mbërthyer, gjendemi mes dy miqve, por gjërat janë këto që janë dhe procesi është i ndërtuar në një mënyrë të tillë, që duhet respektuar ashtu siç është. Nuk jemi këtu për të mbajtur anë, jemi thjesht duke shpresuar e mbështetur faktin që të dyja të flasin e të flasin dhe ta zgjidhin mes tyre. Nëse është nevoja, jemi gati të ndihmojmë, por ndihma jonë është thjesht të vazhdojmë t’iu themi ‘ju lumtë flisni, komunikoni, gjeni një mënyrë’. BE po bën një përpjekje të jashtëzakonshme, të gjithë po përpiqen të mbështesin, por në fund iu takon bullgarëve dhe Maqedonisë së Veriut. Për më shumë, ju takon vetja, nuk kam c’ju duhem unë”, u shpreh kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb