Sipas Zyrës së Statistikave Europiane, Bullgaria u rendit sërish si vendi me shkallën më të lartë të vdekshmërisë në të gjithë Bashkimin Europian. Sipas të dhënave të vitit 2015, shkalla e vdekshmërisë në Bullgari ishte 1660 vdekje në 100 000 persona, ndërsa në BE, mesatarja ishte 1036 vdekje në 100,000 persona.

Pas Bullgarisë vjen Rumania me 1530 vdekje në 100,000 persona; Hungaria me 1500 vdekje; Lituania me 1490 vdekje; Letonia me 1489 vdekje, Kroacia me 1430 vdekje dhe Sllovakia me 1390 vdekje në 100,000 persona.

Ndër shtetet me nivelin më të ulët të vdekshmërisë renditen Franca me një normë vdekjeje prej 859 në 100,000 persona, Spanja (873), Italia (901), Suedia (927) dhe Luksemburgu (930).

Shkaqet kryesore të vdekjes si në BE ashtu edhe në Bullgari janë sëmundjet kardiovaskulare dhe ato onkologjike. Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjes në të gjitha shtetet anëtare të BE-së, me përjashtim të Danimarkës, Francës, Holandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, ku shkaku kryesor i vdekjes është kanceri.

Sipas të dhënave të Eurostat-it, Bullgaria po i afrohet nivelit të saj më të lartë të vdekshmërisë në vend, të shënuar që në 2012 (1709 vdekje për 100,000 persona). Në vitin 2012, shkalla më e lartë e vdekshmërisë për BE-në u regjistrua në pesë nga gjashtë rajonet bullgare (me përjashtim të Jugperëndimit).

Shkalla më e lartë e vdekshmërisë është në rajonin e Veriperëndimit. Megjithatë, jetëgjatësia në vend po rritet, te gratë ajo është 78.5 vjeç ndërsa te burrat në 71.3 vjeç. Ndërsa nëse do t’i krahasonim me të dhënat e vitit 2005, jetëgjatësia mesatare e grave shkonte deri në 76.2 vjeç kurse te burrat, 69 vjeç./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: