Dhjetra banorë të Bulqizës, fëmijë dhe të rritur, janë paraqitur në spitalin e qytetit me simtoma të helmimit prej të premtes në mbrëmje. BIRN mësoi se bëhej fjalë për rreth 40 persona, por 20 prej tyre me simtoma më të rënda janë shënuar në rregjistrin e spitalit.

Mjeku Shahin Kaja, i cili ishte mjek roje gjatë të shtunës i tha BIRN se rreth 16 nga të sëmurët vinin nga “Qyteti i Vjetër”, ndërsa 4 nga pjesa tjetër e qytetit. Ai tha se nisur nga shpërndarja gjeografike e personave me simtoma helmimi, dyshimet kryesore binin mbi ujin e pishëm.

“Nisur nga ky fakt dhe duke qenë se nuk ka pasur ndonjë dasëm apo ndonjë festë, dyshojmë që helmimi mund të vijë nga uji i pijshëm”, tha Kaja. Megjithatë ai tha se sindromat e helmimit ishin të lehta dhe jo problematike. Edhe banorët e helmuar dyshojnë te uji.

Nga ana e tyre drejtuesi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit dhe ai i Drejtorisë së Shëndetit Publik, mohuan se problemi mund të vinte nga uji. Flamur Meta, drejtor i Shëndetit Publik në Bulqizë tha se shqetësimet mund të vinin nga virozat e stinës.

Mjekët dhe banorët fajësojnë ujin 

Personat e helmuar që kanë marrë mjekim në Spitalin e Bulqizës deklarojnë për BIRN se kanë pasur dhimbje barku, të vjella dhe dhimbje koke dhe po ashtu dyshojnë se shkaku është uji i pijshëm.

“Dhimbje barku, të vjella, si unë më pas goca dhe nusja. Kur shkuam në spital gjetëm edhe shumë të tjerë që po merrnin mjekim me po të njëjtat shqetësime si ne, madje edhe një i afërm i joni. Mendoj se kjo ka ardhur nga uji i pijshëm.”, u shpreh për BIRN një qytetar i Lagjes së Vjetër në Bulqizë, i cili kërkoi që të mos i përmendej emri.

Drejtori i Spitalit të Bulqizës, Dr. Hazis Jella i kontaktuar me telefon nga BIRN, konfirmoi se një numër përsonash  kishin shkuar në spital: “Me komplikacione të tilla si të vjella dhe dhimbje barku.” Jella megjithatë tha se nuk dihet ende shkaku i helmimit, pasi janë strukurat e Drejtorisë së Shëndetit Publik që përcaktojnë një gjë të tillë.

Ndërkohë doktori tjetër Kaja i tha BIRN se duke u nisur nga shpërndarja gjeografike e të sëmurëve dhe simtomat dyshimet kryesore binim mbi ujin. Kaja tha se fakti që shumica dërrmuese e të sëmurëve vinin nga e njëjta zonë e qytetit dhe se fluksi ishte shtuar, pa pasur ndonjë arsye tjetër krijonte bindjes se kishim helmim nga uji.

Zyrtarët mohojnë problemin

Nga ana tjetër Flamur Meta, drejtor i Shëndetit Publik në Bulqizë tha se ishin duke hetuar rreth shkaqeve, ndërsa i tha BIRN se nuk kishte të dhëna për helmim nga uji. “Ne bëjmë analizat e ujit dhe unë nuk kam pasur ndonjë sinjalizim nga laboratori që analizat e ujit të kenë dalë me probleme në qytet. Unë si drejtues sinjalizohem kur analizat e ujit nuk dalin konformë parametrave, dhe nuk kam pasur një sinjalizim të tillë”, deklaroi Meta për BIRN.

Meta po ashtu tha se mund të ishin virozat e stinës që kishin shkaktuar fluksin në rritje të persona me shqetësime në spitalin e Bulqizës.

Po ashtu edhe Nedion Muça, drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellësit në Bulqizë, mohoi se kishte probleme të ujit, ndërsa tha se analizat e kryera të premten nuk kishin treguar probleme. “Nëse do të kishte pasur ndonjë sinjalizim nga DSHP për prani të ndotjes, nga ana jonë do të kishte pasur ndërhyrje. Kështu që nuk besoj se ka pasur ndonjë helmim nga uji”, u shpreh Muça për BIRN.

Megjithëse u rindërtua në vitin 2013-të rrjeti i furnizimit me ujë në lagjen “Qyteti i Vjetër” në Bulqizë ka vijuar të ketë probleme, ndërsa banorët ankohen për orare mjaft të kufizuara të furnizimit.

Në rrjet ka ndërhyrje të jashtëligjshme, ndërsa një pjesë e depozitave janë lehtësisht të aksesueshme nga personat e jashtëm dhe janë të ekspozuara ndaj ndotjes./reporter.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb