BULQIZË

Ka shkuar në 113 numri i personave të helmuar në qytetin e Bulqizës. Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe prefekti i qarkut të Dibrës, Nexhbedin Shehu.

Ai thekson se në testin e parë nga analizat e kryera, rezulton se uji i pijshëm është brenda normave të lejuara, por shtoi se përgjigjen përfundimtare do ta japë testi i dytë, i cili pritet të dalë pas katër ditësh.

“Për ujin janë bërë dy teste analizash. Në testin e parë, uji brenda normave. Presim përgjigjet e testit të dytë pas 4 ditësh”-tha ai.

Bluzat e bardha kanë dyshime të forta se simptomat e helmimit janë shkaktuar nga uji i pijshëm, ndërsa Inspektorati i Higjienës menjëherë ka marrë kampione të ujit me qëllim kryerjen e analizave dhe përcaktimin e shkaqeve. Qytetarët me shenja helmimi vijojnë të trajtohen në spitalin rajonal të Bulqizës.

Dyshimet për shkaqet e helmimit të 113 qytetarëve në lagjen e vjetër të Bulqizës janë nga më të ndryshmet, ndërsa gazetari Enver Doçi  raporton për “BalkanWeb” se pista kryesore për pos ujit të pijshëm, dyshohet të jetë edhe një furrë buke, e cila kryen furnizimin e lagjes me nevojat ditore. Por ende nuk ka një përgjigje në rrugë zyrtare.

Gjithashtu autoritetet dyshojnë se shkak për helmimin e qytetarëve mund të jenë bërë edhe depot, ku përmes të cilave kalon uji i pijshëm që furnizon lagjen e vjetër në qytetin e Bulqizës.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb