Ka rezultuar pozitive kjo e shtunë për shqiptarët e Bundesligës. Mërgim Mavraj dhe Amir Abrashi kanë qenë titullarë në fitoret e ekipeve të tyre në javën e 28-të të ligës elitare gjermane. Hamburgu i Mavrajt mori tri pikë të çmuara për mbijetesën falë suksesit 2-1 në shtëpi përballë Hofenhaimit të vendit të tretë. Njeriu i ndeshjes për të zotët e shtëpisë ishte Aron Hant, autor i të dy golave që e largojnë përkohësisht ekipin e qendërmbrojtësit shqiptar katër pikë nga zona e ftohtë e renditjes.

Fitore e rëndësishme edhe për Amir Abrashin, i cili gjithashtu ishte në fushë 90 minuta për Fraiburgun në suksesin 1-0 kundër Maincit në shtëpi. Mesfushori u rikthye titullar pas disa ndeshjesh mungesë në përballjen që u vendos nga goli i Nils Petersen 20 minuta para fundit. Me këtë fitore Fraiburgu ngjitet në vendin e pestë dhe sheh Europën.

Në pritje të klasikes mes Bajernit të Mynihut dhe Borusias së Dortmundit në orën 18:30, këto janë rezultatet e sotme në Bundesligë:

Këln 2 – 3 Borusia Mënshengladbah
Fraiburg 1 – 0 Mainc
Hamburg 2 – 1 Hofenhaim
Lajpcig 1 – 0 Bajer leverkusen
Shalke 4 – 1 Volfsburg

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: