Ndalesa që në premierën e sezonit të ri të Bundesligës ishte thjesht një aksident. Që nga ajo ditë Bayern Munich ka shënuar dy fitore radhazi, duke konfirmuar se të gjithë rivalët do ta kenë të vështirë t’I rrëmbejnë titullin kampion. Një sinjal i fortë për këtë ishte fitorja tenistike 6-1 kundër Mainz. Bavarezët treguan edhe një herë të gjithë forcën, ndërsa transferimet e merkatos së verës, përfshirë ato të fundit, Perisic dhe Coutinho i kanë dhënë skuadrës së Niko Kovac dicka më shumë.
Në një tjetër nivel edhe Robert Lewandowski, që ecën me një mesatare të frikshme me dy gola për ndeshje. Detaje të rëndësishme, që ruajnë kuoat e Bayern si favorit edhe në këtë sezon, pavarësisht se pas tre javëve të para bavarezët duhet të ndjekin Leipzig.
Ky i fundit ka ecurinë më të mirë në këtë fillim të sezonit, me tre fitore në po aq javë të luajtura. Gjithçka e merituar, por diferencën do ta bëjnë sfidat direkte. Deri atëherë, Leipzig mund të shpresojë te supriza e madhe.
Ashtu si në edicionin e shkuar, kur kryesoi për javë me radhe, Borussia Dortmund tregon edhe një herë limitet. Nuk mund të përkthehet ndryshe humbja e rëndë 3-1 në fushën e Union Berlin, që zbret skuadrën e drejtuar nga Lucien Favre në vendin e pestë të klasifikimit.
(balkanweb)