TIRANE

Këngëtarja e njohur shqiptare, Burbuqe Rada është bërë pjesë e “Festës së Këngës Shqiptare”, që është aktiviteti më i ri muzikor në “News24”, nën drejtimin e artistit Gjergj Leka.

E ftuar në këtë aktivitet për të prezantuar materialin e saj, me të cilin do të përfaqësohet në këtë event, Burbuqe Rada ka zbuluar se pse pas një kohe mjaft të gjatë ajo këndon sërish për publikun shqiptar.

Edhe pse këto ditë kanë qenë shumë të vështira për të pasi ka humbur motrën, ajo sërish pranoi të ishte pjesë e këtij festivali dhe të interpretojë për publikun shqiptar pas më shumë se 20 vitesh.

Burbuqe Rada ishte pjesë e pandashme e çdo festivali para viteve 90’. Ajo vinte nga radhët e klasës punëtore siç quheshin atëherë. Këngëtarja e njohur filloi që në moshë të vogël të interpretonte gjini të ndryshme të këngës, ajo nuk ka lëvruar vetëm gjininë e muzikës së lehtë por dhe këngën qytetare popullore.

Burbuqe Rada është një këngëtare shumë e thjeshtë në interpretim, të gjitha këngët e saj që nga festivalet ku ka marr pjesë, edhe pse nuk i dhanë kurrë çmim sepse asnjëherë nuk ka pasur kurrë miq që të ndërhynin për të. Kështu që merita është dyfish e Burbuqe Radës që ka çarë vetëm me forcat e saj. Këngët e saj fërshëlleheshin nga salla, sidomos edhe gjatë festivalit të interpretuesve ku ajo merrte pjesë. Nuk do harruar që festivali i interpretuesve ishte shumë i vështirë pasi këngët ishin kënduar më parë nga këngëtarët më të mirë shqiptarë dhe kemi rastin e disa interpretimeve të Burbuqe Radës.

“Mirë se ju gjej adhuruesit e mi dhe artdasësh. Ëndrra ime që në vogëli ka qenë që unë të këndoja dhe e realizova por për një farë kohe u shkëputëm me dashje apo pa dashje. Më duket se ëndrrën time për të rifilluar përsëri po e realizoj tani në ‘Festën e Këngës shqiptare’. Më emocionon shumë kjo fjalë dhe më rrëqeth mishin, unë do të sjell për ju në këtë event këngët e mia që ju i keni adhuruar dhe dashur shumë, i keni duartrokitur. Dhe kjo është ajo që mua më inspiron sepse do të vijmë në mënyrën kohore më të bukur që ju do të kënaqeni dhe do të thoni jo më ku ishe Burbuqe por sa mirë që erdhe në këtë program” – ka thënë këngëtarja e njohur Burbuqe Rada.

Personi i fundit që e adhuronte Buruqen dhe që i jepte forcë asaj ishte motra e saj, e cila u nda nga jeta pak ditë më parë dhe këngëtarja e vuajti shumë këtë ngjarje të rëndë për të. Gjergj Leka e mori në telefon dhe pasi e ngushëlloi për humbjen e motrës i tha se do të kishin mundësi tjetër për t’u ngjitur në skenë dhe se e kuptonte shumë nëse këngëtarja nuk donte të merrte pjesë në këtë event.

Por ajo iu përgjigj se ngjitja e saj në skenë ishte pengu i motrës. Ajo do të gëzohej shumë që u përzgjodh te “Festa e këngës shqiptare” ka treguar këngëtarja.

‘Unë në ‘Festën e këngës shqiptare” kam menduar të sjell këngën “Mes dritash” të kompozitorit Tish Daija dhe me tekst të Jorgo Papingjit. Është një këngë që unë e kam pasur shumë përzemër, e kam kënduar në festivalin e 1982-it natën e parë por që për arsye të ndryshme nuk doli në natën e tretë dhe e kisha fiksim ta sillja në një mënyrë të re dhe kam shumë besim që do të vijë si bombë në festivalin e këngës. Diur në studiot e radios Tiranës paraqiteshin këngët shumë thjeshtë ashtu dhe unë sot vetëm me një piano do të paraqis këngën para jush”- përfundon këngëtarja e njohur Burbuqe Rada.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: