Zëvendësministri i Brendshëm, Besfor Lamallari, komentoi zhvillimet e fundit politike, nga përplasjet në KZAZ-të e disa bashkive deri te protesta e nesërme e opozitës.

Në studion e lajmeve të “Neës 24”,zv.ministri i Brendshëm paralajmëroi burg 5 deri në 7 vite për personat e proceduar pas përplasjeve nëpër KZAZ, si dhe marrjen e pasaportave për një periudhë të caktuar, duke iu hequr mundësinë e lëvizjes jashtë Shqipërisë.

“Nuk mund të them sa persona janë proceduar, puna është në vijim, po punohet dhe me materialet e mbledhura për ndërmarrjen e hapave të tjera proceduriale. Këta persona rrezikojnë dënimet që parashikon Kodi Penal, që janë 5-7 vite burg, si dhe mund t’iu merret pasaporta për të lëvizur jashtë vendit për një periudhë të caktuar kohe”, tha Lamallari.

Sa i takon protestës së nesërme të opozitës, zv.ministri u shpreh se çdo element dhune është në shkelje të hapur me ligjin dhe duhet ndëshkuar.

“Çdo element dhune është në shkelje të hapur të ligjit dhe duhet ndëshkuar. Çdokush që do të protestojë sipas lirive demokratike dhe ligjit në fuqi, është në të drejtën e tij, por policia është aty për të siguruar mbarëvajtjen e protestën dhe për të parandaluar akte të dhunshme”, shtoi ai.

Pjesë nga intervista:
Përplasjet në KZAZ, sa persona janë proceduar?
Janë rreth 14 KZAZ të sulmuara nga subjekte politike, duke përdorur si ushtarë punonjës të bashkive dhe agjencive në varësi, në kundërshtim me ligjin. Ka pasur persona të arrestuar dhe proceduar për disa vepra penale, që janë të rënda, pasi lidhen me respektin që çdokush duhet të tregojë ndaj uniformës së shtetit. Nuk mund të them sa persona janë proceduar, puna është në vijim, po punohet dhe me materialet e mbledhura për ndërmarrjen e hapave të tjera proceduriale. Këta persona rrezikojnë dënimet që parashikon Kodi Penal, që janë 5-7 vite burg, si dhe mund t’iu merret pasaporta për të lëvizur jashtë vendit për një periudhë të caktuar kohe.

Ju duket e drejtë?
Nuk më duket aspak e drejtë të dhunosh institucionet. Ashpërsi më e madhe duhet të jetë për mbrojtjen e demokracisë.

Arrestimi i Bardh Spahisë?
Ka rreth gjashtë akuza që i janë adresuar Spahisë, për vepra të ndryshme penale, që kanë të bëjnë kryesisht me dëmtimin e materialeve zgjedhore, cenimin e rendit. Nuk shoh ndonjë dallim mes statusit ish-deputet, deputet, etj, të gjithë janë të barabartë para ligjit. Ajo që duhet të mbizotërojë në vend është qetësia, sjellja demokratike. E gjitha kjo është zbatim korrekt i ligjit, duhet të ketë qetësi, korrektësi dhe jo elementë që dhunojnë ligjin.

Arrestohet po degradojnë situatën …
Janë pamje shumë të dhimbshme për qytetarët. Protestat po vijnë duke u tkurrur, por po shënojnë akte të rënda. Nuk do pajtohem kurrë me forma të tilla. Më e rëndësishme është jeta normale dhe për këtë kërkohet maturi e atyre që organizojnë protestat.

Opozita është e vendosur të prishë zgjedhjet, nga ana tjetër qeveria thotë se do ketë zgjedhje. A është në gjendje policia të ruajë rendin, nëse do ketë zgjedhje?
Kjo është një përgjegjësi e madhe, madje e tepërt, pasi përpara policisë të gjithë kanë përgjegjësi. Të sillesh në mënyrë të kundraligjshme, duke i hedhur molotov policisë dhe të kërkosh pastaj të vetëpërmbahet policia, kjo është absurde. Policia duhet t’iu përmbahet ligjeve, që i kanë votuar të gjithë në Parlament. Figura të së shkuarës nuk mund të mbajnë peng vendin. Policia ka kapacitet për të zbatuar ligjin, për të bërë detyrën e saj dhe këtë e ka dëshmuar më së miri, duke rrezikuar dhe jetën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb