Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE– Ish-krerët e Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe Agron Kuliçaj, janë paraqitur për herë të parë në Prokurorinë e Tiranës, për të dëshmuar lidhur me ngjarjet e dhunshme të 21 janarit. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Burgaj dhe ish-numri dy i institucionit, Kuliçaj, të kallëzuar për “shpërdorim detyre, në bashkëpunim”, duhet t’i japin përgjigje pyetjes se përse nuk zbatuan urdhër-arrestet e prokurorisë për ish-shefin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe pesë gardistët e tjerë, pjesëtarë të Grupit të Zjarrit, të dyshuar për vrasjet e katër demonstruesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeministrisë. Në kohën kur Burgaj ka dhënë versionin e tij për ngjarjen, Kuliçaj nuk u është rrëfyer oficerëve të Policisë Gjyqësore. Ai ka kërkuar fillimisht njohjen me aktet e dosjes, e mandej është shprehur i gatshëm të paraqitet në një moment të dytë për të dhënë deklarimet e tij.
Dëshmia e Burgajt
Ndonëse Prokuroria e Tiranës, e cila po heton mbi dy të kallëzuarit, Burgaj e Kuliçaj, ia ka deleguar veprimet Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, zyrtarë të kësaj të fundit, kanë kërkuar asistimin e një oficeri gjyqësor, për marrjen në pyetje të dy ish-drejtuesve të Policisë së Shtetit. Kështu, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, u është përgjigjur pyetjeve të hetuesve, duke sqaruar se përse nuk u zbatua urdhri i prokurorisë për arrestimin e drejtuesve të Gardës së Republikës. “Urdhrat në momentin e parë u kthyen sërish në prokurori, pasi kishin gabime drejtshkrimore dhe lapsuse në formulimin e tyre, e për rrjedhojë ishin të pazbatueshëm”, mësohet të jetë shprehur Burgaj. Mandej, ai ka shpjeguar se nuk ka qenë në kompetencën e tij, për të ndjekur nëse ishin zbatuar ose jo urdhrat e dytë të ardhur nga prokuroria, pasi ishte detyrë e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë që t’i ekzekutonte. Ai u është përgjigjur dhe pyetjeve të tjera që lidhen me ngjarjet e dhunshme të 21 janarit, për mënyrën sesi vepruan strukturat e policisë dhe si e menaxhuan situatën, por grupi hetimor u tregua mjaft i rezervuar për të dhënë detaje.
Ish-zyrtarët e kallëzuar
Kur kishin kaluar më shumë se tri vite prej ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit, kur gjatë demonstratës së opozitës së bashkuar në 2011-ën u vranë katër persona, kjo çështje u rikthye sërish në vëmendje. Ministria e Brendshme iu drejtua Prokurorisë së Tiranës duke kallëzuar dy ish-drejtuesit e Policisë së Shtetit, për akuzën e “shpërdorimit të detyrës, kryer në bashkëpunim”, pasi nuk zbatuan urdhrat e prokurores së Përgjithshme të kohës, Ina Rama, për të vënë në pranga gjashtë drejtues të Gardës së Republikës. Urdhrat e arrestit u firmosën nga prokuroria 48 orë pas vrasjeve në bulevard, pasi nga hetimet e para u ngritën dyshime se ishin kryer nga efektivët e Gardës së Republikës. Urdhër-arrestet u zbatuan vetëm pas një jave të gjatë negociatash. Por ndonëse pati një përplasje të fortë institucionale për vrasjet e ndodhura në bulevard, u akuzuan tre persona. Pas një maratone të gjatë gjyqësore, ish-shefi i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, u dënua me 1 vit burg për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj, ndërsa majori Agim Llupo u cilësua fajtor për vrasjen e Ziver Veizit dhe u dënua me tri vite burg. Margarit Kume u shpall i pafajshëm. Ndërsa, vrasjet e Hekuran Dedës e Aleks Nikës, ende mbeten pa autor.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb