Nga Gjet Kadeli

Pjesa e njëzeteshtatë
Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit me 433 faqe dhe ajo hetimore e gjyqësore me 632 faqe) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish–i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj.

Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17- vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ridënua.

Kjo pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj. Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit.

Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit më 28 korrik 1950, qëndroi disa kohë në male në arrati, e më pas në vitin 1951, u kthye fshehurazi në Mirditë, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe kohe gati 35 vjeçare që, Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar plot 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën, e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të gjitha të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.

Vijon nga numri i kaluar
Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Vehap Kuka, me të dhënat e agjentit të Sigurimit “Shkëmbi”, për bisedat e bëra në burgun e Burrelit, nga Gjet Kadeli, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Dalip Gaba, etj.

Marrë: nga P.Op. V.Kuka

Dhënë: nga B.p. “Shkëmbi”

Raport i dt. 2.5.1984

Ai njofton se, atë natë që radio njoftoi refuzimin e kërkesës së ambasadorit tonë për vendosjen e një kurore në varrin e Bije Vokshit, u zhvillua kjo bisedë:

Dalip Gaba, tha: “Ah ç’ja kanë bërë mirë qenve!”

Kapllan Resuli tha: “Kështu me kurora lulesh jua kanë marrë mend kosovarëve këta dhe tani u vjen keq!”

Gjet Kadeli, tha: “Me i vënë kurorë ……..”

Kapllan Resuli, tha: “E kam njohur personalisht!” Dhe qeshi duke i shkelur syrin Çaush Çokut.

Ai tha: “Fajet i ka ambasadori ynë që nuk shkon me forcë të vendos kurorën, se është shqiptare ajo që ka vdekur e jo serbe”.

Të nesërmen kur dolën në oborr për ajrosje, Kapllan Resuli e kapi atë dhe i tha: “Pse fole ashtu ti mbrëmë? A e pe sa mirë foli Dalipi, Gjeta e të tjerët? Vetëm ti, Skënder Shatku e Daut Gumeni, nuk e kuptoni atë refuzim të qeverisë jugosllave. Po sikur të vdesësh ti në burg dhe t’i thonë nënës tënde, me vendos kurorë, do ta pranojë nëna jote? Jo aspak.

Nëna jote nuk do të pranojë, sepse vdiqe në burg, prej udhëheqësit kryesor të partisë. ………. ka qenë ………. dyfishtë i UDB-ës dhe e udhëheqësit kryesor të Partisë. Ajo ka marrë në qafë shumë kosovarë duke u thënë se, në Shqipëri jetohet mirë, duke mashtruar ka sjellë këtu me qindra kosovarë, që po vuajnë sot, o nëpër burgje, o në internime.

Ai njofton se me rastin e 1 Majit u thanë këto shprehje: Petrit Paja tha: “Ishalla shembet tribuna ku qëndron udhëheqësi kryesor i Partisë”.

Çaush Çoku, tha: “N’daç të shembet, n’daç mos shembet, ai do vdes tani se ka ardhur koha”.

Spartak Velia, tha: “Në muajin Maj vinë në Tiranë gjithë horrat e botës dhe hanë e pinë me udhëheqjen kryesore të Partisë, gjoja se festojnë festën”.

Lulzim Bregu:, shikonte fotografinë e udhëheqësit kryesor të Partisë në gazetën “Bashkimi” dhe tha: “E shihe sa i shëndoshë është, neve prisnim tjetër gjë!”

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Shkëmbi

Vlerësimi: Raporti ka vlerë operative, në të del agjitacion e propagandën e mprehtë e këtyre të dënuarve ndaj udhëheqjes kryesore të Partisë. Del propaganda që zhvillon në favor të Zbulimit Jugosllav, objekti Kapllan Resuli.

Detyra: B.p. dhe detyrë që të bisedojë përsëri me Kapllan Resulin lidhur me…… e kosovarët. Gjatë bisedave me të të mësosh se nga e di ai që ………. ka qenë spiune e dyfishtë dhe se ka marrë në qafë kosovarët, apo flet me hamendje dhe nga urrejtja që ka për shqiptarët dhe udhëheqësin e tyre?!!

Gjatë bisedave me të dënuarit e tjerë, të mësosh se ku e merr guximin dhe kurajon që, shprehen aq hapur në prezencë të gjithë të dënuarve të dhomës, kundër udhëheqësit kryesorë të Partisë dhe çfarë fitojmë ne nga këto shprehje?!

Të na informosh për, komentet armiqësore që zhvillojnë të dënuarit e dhomës për probleme që trajtojnë shtypi e radio, si dhe për arritjet në të gjitha fushat e jetës për nder të 40 vjetorit të çlirimit.

Punëtori Operativ

Vehap Kuka

Dokumenti sekret me shënimin operativ të Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, me të dhënat e agjentit të Sigurimit “Shkëmbi”, për bisedat e bëra në burgun e Burrelit, nga Gjet Kadeli dhe Kapllan Resuli

Marrë nga P.Op. P.Nuredini

Dhënë nga B.P. “Shkëmbi”

Burrel 1.7.1983

Dt. 8.10.1984

SHËNIM OPERATIV

Unë Punëtori Operativ, Piro Nuredini, efektiv i repartit 321 Burrel, më datën 22.6.1984 u takova me të dënuarin politik, Ndue Tom Nurçe, i cili më tha:

“Mbrëmë rreth orës 20 ose 20.30, pas lajmeve, Gjet Kadeli, i dënuari politik, i tha Kapllan Resulit: “Ka vdekur udhëheqësi kryesor i Partisë. Ai nuk ka lënë gjë pa bërë, jo vetëm për ne të dënuarit, por edhe për popullin që jeton si skllav”. Kapllani i tha: “Unë e dija këtë më parë, por nuk ta thash, prisja të ma thoshe ti, e dija që do të më thoshe. Kjo u duk në mbledhjen e Kuvendit Popullor, ku korrikja e tij, ishte bosh”.

Sqarim: Kapllan Resuli është në përpunim aktiv 2/A si agjent i jugosllavit, ndërsa Gjet Kadeli ka të dhëna në dosjen e informative.

Burrel më 3.7.1984 Punëtori Operativ

Piro Nuredini

Dokumenti sekret me raport-informacionin e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, me të dhënat e agjentit të Sigurimit “Shkëmbi”, për bisedat e bëra në burgun e Burrelit, nga Gjet Kadeli, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Daut Gumeni, Skënder Shatku, etj.

Marrë nga P.Op. P.Nuredini

Dhënë nga B.p. “Shkëmbi”

Burrel më 31.10.1984

R a p o r t

Ditën e dielë paradite, u zunë Kapllan Resuli me Çaush Çokun. Grindjen me fjalë e vazhduan edhe në oborr. Shkak qe kjo: Kapllani po mbronte komunistët e Francës, kurse Çaushi, ja shante. Fillimin e grindjes ne nuk e dimë, por mësuam se, kur Kapllani u nxeh, thirri me të madhe: “Komunizmi do të triumfojë kudo, edhe në Francë, atje ku është borgjezia”. Çaushi i tha: “Komunizmi do të zhduket edhe këtu, që ka 40 vjet i gjallë e jo më në Francë, ku ka arritur kulmin kultura”.

Ndërsa ata ziheshin e, Kapllani mbronte komunizmin, filluan të tjerët, duke sharë komunizmin e, Kapllanin bashkë.

Skënder Shatku, tha: “E mbron derri (për Kapllanin) komunizmin se, ka ngrënë 20 vjet qyl”.

Daut Gumeni, tha: “Si komunizmi është vet Kapllani. Shikoje atë dhe flit për komunizmin”.

Gjet Kadeli, tha: “Derri do hajë këlyshët e vet, kur t’i vijë fundi”.

Xhemal Tota, tha: “Si nuk ka turp, e mbron haptazi regjimin që po kalb, me mijra vetë në burgje”.

Kur dëgjoi këto fjalë, Kapllani tha: “Unë vet jam komunist dhe e kam për nder”.

Do të kishin vazhduar më gjatë, por u ngrit Lulzim Bregu nga gjumi e, i bërtiti Kapllanit, pse bën zhurmë dhe kështu mbaroi diskutimi në dhomë, por e filluan prapë në oborr.

“Shkëmbi”

Sqarim: Kapllan Resuli e Skënder Shatku, janë në ndjekje 2/A, si agjent në shërbim të Zbulimit Jugosllav.

Çaush Çoku, Daut Gumeni, Gjet Kadeli e Xhemal Tota, kanë të dhëna në dosjen e përgjithshme të informative.

Vlerësimi: Të dhënat kanë vlerë pasi, del se të mësipërmit, zhvillojnë veprimtari armiqësore.

Punëtori Operativ

Piro Nuredini

Dokumenti sekret me shënimin operativ të Punëtorit Operativ, Gjergj Marku, me të dhënat e agjentit të Sigurimit “Shkëmbi”, për takimin e tij në Mamurras, me Gjet Kadelin

Merr: Punëtori Operativ, Gjergj Marku

Dhënë: B.p. “Shkëmbi”

Takimi në ILB dt. 18.4.1990

R A P O R T

Burimi në rrugë tek banka ka takuar Gjet Kadelin nga Mamurrasi, i cili me të bëri një bisedë si shokë burgu. Gjeta e pyeti, ku punon? Ku e ke shtëpinë? Çfarë turni je? Nëse i takonte burimi shokët, apo jo. Unë, tha Gjeta, punoj në Ndërmarrjen Artistike Ushtarake në Mamurras. Ai i tha se, si e gjete këtë punë? Me lek? Gjeta u përgjigj se, unë nuk jam frikacak si ti. Me kaq u ndanë dhe Gjeta, i premtoi se do t’i bënte një vizitë në shtëpi.

“Shkëmbi”

Sqarimi i Raportit

Siç del, Gjet Kadeli është nga Mamurrasi ka qenë në burg dhe karakterizohet nga B.p. si njeri i guximshëm dhe i rrezikshëm, fjala frikacak, duhet të na tërheq vëmendjen. Sipas interesit operativ, që ka Dega e Krujës, të bashkëpunohet sepse, njihet dhe kanë shoqëri.

Vlerësimi i raportit:

Ka vlerë operative sepse, bën fjalë për lëvizje të ish-të burgosurve dhe fjala “Frikacak”, tregon se duhet të fshehi diçka Gjetë Kadeli.

Detyra: Po t’u dha rasti më, pyete për dy ngjarjet në Tiranë nëse dinte gjë? Ju si e kaloni në Krujë, si i kupton Gjeta ngjarjet në Europën Lindore, këtu nuk ndodh gjë, etj.

Punëtori Operativ

Gjergj Marku

Dokumenti sekret me deklaratën e shtetasit, Gjergj Përvuka nga Mamurrasi, dhënë Punëtorit Operativ Kujtim Kuçi, lidhur me bisedën e zhvilluar prej tij, me File Kadelin, e ardhur nga SHBA-ës si vizitore, te Gjet Kadeli

“Sekret”

Kopje e vetme

Krujë më 18.9.1990

D E K L A R A T

Unë, i nënshkruari Gjergj Përvuka, i vit lindjes 1939, lindur në Rrëshen dhe me banim në Mamurras, të rrethit të Krujës, i martuar me fëmijë, i pa organizuar, i pa dënuar, me profesion punëtor, kryer shërbimin ushtarak, me shtetësi dhe kombësi shqiptare. Unë në biseda që kamë patur me File Kadelin e cila, ka ardhur nga SH.B.A. tek Gjet Kadeli në Mamurras, si vizitore. Filja, është me origjinë Kosovare e martuar me të arratisurin Gjon Pjetër Kadelin, me origjinë nga Mirdita, i arratisur në SH.B.A. Gjatë bisedave, Filja tha: Se neve në SH.B.A. kemi katër dyqane private. Burri im, Gjon Kadeli, është me arsim të lartë dhe merret me dyqanet.

Fëmijët i kemi nëpër shkollat e larta në SH.B.A. Unë e pyeta Filen se, a njeh ndonjë nga të arratisurit? Filja më tha mua se, unë njoh disa të arratisur që janë aty në SH.B.A., por vjerri im, Pjetër Kadeli, i njeh më shumë dhe ai merret me të arratisurit. Unë i thashë, si të duket Shqipëria: Filja më tha mua se, Shqipëria mirë është. Filja, ka sjellë plaçka dhe dollar dhe Gjet Kadeli me dollarët që i ka sjellur, ka blerë televizor me ngjyra. Filja, ka ardhur si vizitore në muajin gusht 1990 dhe është larguar për në SH.B.A., me dt. 3 shtator 1990.

Sqarimi: File Kadeli, është gruaja e Gjon Pjetër Kadelit, i arratisur nga rrethi i Mirditës. Aktualisht ndodhet në SH.B.A.

Gjet Kadeli, është nga Mamurrasi i rrethit të Krujës, është dënuar me 20 vjet heqje lirije për veprimatari armiqësore kundër pushtetit Popullor. Aktualisht është në kontroll operativ 2/B si agjent i Zbulimit Jugosllav.

Vlerësimi: Ka vlerë operative, pasi i arratisur Pjetër Kadeli në SH.B.A merret me të arratisurit e tjerë (kundër vendit tonë).

Punëtori Operativ

Kujtim Kuçi

Dokumenti sekret i përpiluar nga Punëtori Operativ, Kujtim Kuçi dhe i miratuar nga kryetari i Degës së Brendshme të Krujës, Petrit Bajraktari, për mbylljen dhe arshivimin e dosjes së Gjet Kadelit

MIRATOHET SEKRET

KRYETARI DEGËS PUNËVE BRENDSHME Kopje e vetme

PETRIT BAJRAKTARI Krujë më 21.1.1991

VENDIM

MBI ARKIVIMIN E DOSJES ME NR.2495 NË NGARKIM TË GJET KADELIT NË KONTROLL OPERATIV 2/B

Unë punëtori Operativ, Kujtim Kuçi efektiv i Degës Punëve të Brendshme, anës Sigurimit, pasi studiova dhe analizova materialet në dosjen me Nr.2495, në ngarkim të Gjet Kadelit, në kontroll operativ 2/B:

Gj e t a:

Gjet Kadeli, i biri i Pjetrit dhe i Dilës, i vitlindjes 1940, lindur në fshatin Bulshar të rrethit të Mirditës dhe me banim në qytetin e Mamurrasit, të rrethit Krujë, i martuar me fëmijë, me arsim 7 vjeçar, i pa organizuar, me profesion marangoz, i dënuar njëherë për krimin e agjitacionit e propagandës armiqësore, me punë në N.B. Mamurras, me shtetësi e kombësi Shqiptare.

Qëndrimi politik i familjes dhe të afërmve të tij si gjatë regjimit antipopullor të Zogut ashtu dhe gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ka qenë i keq. Kanë përkrahur e simpatizuar ato regjime. Edhe mbas Çlirimit të vendit qëndrimi i familjes së tij ka qenë i keq. Pasi babai i tij, Pjetër Kadeli, në vitin 1949, është arratisur nga D.P.B. Mirditë, aty Pjetri arratiset nga burgu, shkon në shtëpinë e vet, merr dhe djalin e tij, Gjon Kadelin dhe arratisen në drejtim të Jugosllavisë.

Mbas arratisjes, Gjeta e nëna e tij, internohen në fillim në Tepelenë dhe më vonë në Lushnjë, deri në vitin 1955. Në vitin 1956, Gjeta merret në kontroll operativ 2/B. Më datën 27.4.1967, Gjeta është ngritur nga kontrolli operativ 2/B, në përpunim aktiv 2/A, për krimin e agjitacionit e propagandës armiqësore me 10 vjet heqje të lirisë.

Edhe gjatë vuajtjes së dënimit, Gjeta është përpunuar dhe është dënuar me 5 vjet heqje lirie, po për agjitacion e propagandë armiqësore. Me datën 5.XI.1988. Gjet Kadeli lirohet nga burgu dhe vjen pranë familjes së tij, ku Gjeta është marrë në kontroll operativ 2/B, për krimin e agjitacionit dhe të propagandës armiqësore.

Duke u nisur sa sipër, se krimi i agjitacionit e propagandës armiqësore nuk është më në Kodin Penal të RPSSH:

V E N D O S A

Që dosjen me Nr. 2495 në ngarkim të Gjet Pjetër Kadelit, në kontroll operativ, për krimin e agjitacionit, të arkivohet përgjithmonë.

Të kryhen veprime përkatëse në kartotekë./Memorie.al

Punëtori Operativ Shefi i Seksionit

Kujtim Kuçi Zija Behari

ZV / KRYETARI DEGËS PUNËVE TË BRENDSHME

ROBERT JONUZI

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb