TIRANE – Në ambientet e spitalit ‘Nënë Tereza’ përballesh edhe me pamje të tilla! Një burrë është shtrirë në dysheme, ndoshta duke pritur që dikush të kujdeset për të, por ndihma nuk i vjen. Ky person i shtirë përtokë diçka e ka, por punonjësve të spitali, as që u bën përshtypje ky fakt.
Këta të fundit, e injorojnë, madje infermierja i drejtohet djalit që po e filmon skenën: “Nuk është duke vdekur more, bën vetë.”
Ndërsa djali kërcënoi se do ta publikonte videon në internet.

Videoja është filmuar në ambientet e spitalit Nene Tereza në katin e parë, Kardiologjia.

REAGON QSUT: JA E VËRTETA E VIDEOS
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar në lidhje me pamjet filmike amatore që kanë qarkulluar gjatë ditës së sotme në mediat online, ku një burrë duket i shtrirë në  korridorin e spitalit, ndërsa infermierja dëgjohet teksa thotë se “nuk ka asgjë, por bën vetë”.

“Qytetari që shfaqet në këtë video është shtetasi P.GJ, i cili prej vitesh trajtohet në mënyrë periodike pranë shërbimit të Adiktologjisë dhe Toksikologjisë Klinike në QSUT. Drejtoria e QSUT ka marrë información nga Shërbimi i Adiktologjisë dhe Toksikologjisë Klinike dhe rezulton se shtetasi P.GJ. është trajtuar në këtë shërbim, përgjatë periudhës kohore 06-14 mars 2016 me diagnozën “Toksikodipendencë Alkoolike”.

Shërbimi i Adiktologjisë dhe Toksikologjisë Klinike sqaron më tej se ditën e enjte, më datën 17.03.2016, qytetari P.GJ. është paraqitur vetë në shërbimin e Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme në QSUT dhe pasi ka marrë trajtimin e duhur mjekësor në këtë shërbim, është larguar i pashoqëruar drejt pavionit të Adiktologjisë dhe Toksikologjisë Klinike, duke kërkuar me insistim që të rishtrohet në këtë pavion.

Nga të dhënat klinike dhe amnestetike të siguruara prej mjekëve të shërbimit dhe të regjistruara në Regjistrin e Urgjencës dhe të Shërbimit të Toksikologjisë, rezulton se shtetasi P.GJ., nuk kishte indikacion për shtrim në momentin që është paraqitur.

Për shkak të këmbënguljes së pacientit, i cili ka manifestuar ç’rregullime të theksuara të sjelljes, Shërbimi i Adiktologjisë dhe Toksikologjisë Klinike informon se ka kontaktuar familjarët e tij, si dhe Policinë e Shtetit, e cila ka ndjekur rastin në vijim.”- bën të ditur QSUT-ja.

Paralelisht, strukturat e QSUT po kryejnë verifikimin e procedurave klinike të ndjekura për rastin në fjalë dhe deri në sqarimin e plotë të situatës, për shkak të komunikimit dhe mosreagimit në momentin e paraqitur në videon amatore, është marrë masa e pezullimit ndaj infermieres me iniciale A.C.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: