Në emisionin “Me Zemër të Hapur” të autores Evis Ahmeti, në News24 është trajtuar historia e një të miture 14 vjeçare nga komuniteti egjiptian e cila lindi një fëmijë me një 21 vjeçar, ku ky i fundit akuzohet me veprën penale “marrëdhënie seksuale me forcë me të mitur” dhe ndodhet në paraburgim në burgun e Korçës.
Së bashku me gjyshen e 21 vjeçarit, ajo ka dhënë versionin e saj në një lidhje telefonike në studio.
Sipas 14-vjeçares ajo ka 5 muaj që nuk ka asnjë komunikim me Dritsonin dhe se ai nuk e ka takuar asnjëherë vajzën e tyre.
Ajo konfirmoi se ishte dakord për lidhjen, por prindërit e saj e kishin gënjyer atë duke i thënë se ajo ishte 17 vjeç.
Të dy kishin një bashkëjetesë të rregullt, dhe ajo u zhvendos nga Miloti në qytetin e Korçës.
E mitura kërkoi lirimin e bashkëshortit nga burgu, duke shtuar se ka vështirësi ekonomike.
“ Kam 5 muaj që nuk kam komunikim me të.Unë linda një vajzë, por ai nuk e ka takuar akoma. Prindërit e mi më thanë për lidhjen, dhe unë isha dakord. Ato e gënjyen bashkëshortin tim duke i thënë që unë isha 17 vjeç. Kishim një bashkëjetesë të rregullt . U zhvendosa nga Miloti në Korçë. Nuk kemi para për tu ushqyer .Dua që ai të lirohet nga burgu, nuk ka bërë asgjë.” përfundoi ajo.
Gjithashtu edhe gjyshja e 21 vjeçarit, kërkoi drejtësi për nipin ndërsa i ka bërë thirrje prokurorisë të lirojë Dritsonin.
“Nipi im nuk ka bërë asgjë. Ai është jetim e kam rritur vetë sepse nëna e tij ndërroi jetë. Ato u lidhën me mblesëri, ne shkuam në Milot për të takuar nusen dhe familja e saj ishte dakord. Dua drejtësi, nipi im duhet të lirohet.” deklaroi e moshuara.
(BalkanWeb)