Gazetari Luan Rama ka reaguar në lidhje me deklaratat që bëri sot Këshilltari i Presidentit, Ilir Meta, Edmond Panariti për kompozitorin e njohur Limos Dizdari, i cili ndodhet i shtruar në spital në gjendje të rëndë. Përmes një mesazhi në rrjetin social ‘Facebook’ Luan Rama pohon se do ta mëshironte Panaritin nëse do të fliste me fjalët e tij gjatë prononcimit për mediat.

Luan Rama nuk është kursyer me fjalët ndërsa shkruan se; “Arsyeja se pse nuk e mëshiroj mjeranin e ndërsyer Edmond Panariti, lidhet pikërisht me të qenurin i ndërsyer.”.

Kujtojmë se Luan Rama dje bëri thirrje që qeveria të ndihmojë kompozitorin, ndërsa shtoi se; “Edhe pse Limos Dizdari nuk është “Nderi i Kombit”, ndërkohë që këtë nderim të lartë shtetëror e kanë marrë edhe “artistë” tallavaje e mejhanesh pa asnjë kontribut, e madje edhe organizata kriminale, shteti ka detyrimin të dëshmojë përkujdesjen maksimale.”.

REAGIMI I LUAN RAMËS
DO TA MËSHIROJA PANARITIN
PO TË FLISTE ME FJALËT E TIJ
Folja kalimtare mëshiroj që unë kam përdorur në titullin e këtij shkrimi, ka kuptimin “fal me zemërbutësi dikë që ka bërë ndonjë faj a gabim”. Ajo shpreh një ndjenjë të thellë dhembshurie e keqardhjeje për një njeri të mjerë a fatkeq si edhe dëshirën për ta ndihmuar atë.
Por, Edmond Panariti nuk është për t’u mëshiruar në këtë rast, edhe pse ia kuptoj hallin e madh në të cilin është gjendur, dhe që ndjehej në çdo fjalë të asaj pjese të deklaratës së tij, kur i cytur prej një pyetjeje pa asnjë bazë të një gazetari, (që kuptohej se e bëri pyetjen pa e ditur se çfarë kisha shkruar unë në lidhje me kompozitorin e madh Limos Dizdari ku evidentoja faktin që nuk është “Nderi i Kombit”), u rrek të merret me mua, krejt paturpësisht e pa asnjë bazë, duke shkelur edhe normat më elementare të etikës së komunikimit mes dy njerëzve që njihen prej kohësh, që kanë punuar bashkë e që në komunikimin e ndërsjellë i drejtohen njeri-tjetrin me “ i dashur mik!”
Arsyeja se pse nuk e mëshiroj mjeranin e ndërsyer Edmond Panariti, lidhet pikërisht me të qenurin i ndërsyer.
Nëse ai do të fliste me fjalët e tij do të ishte krejt tjetër gje; do ta mëshiroja dhe do ta ndihmoja që më së pari të lexonte çfarë unë kam shkruar për Limos Dizdarin.
Dhe po të kishte vështirësi që të kuptonte atë që unë kam shkruar, do ta ndihmoja duke ia shpjeguar pa asnjë mëdyshje e me shumë vullnet e dashamirësi që ta kuptonte.
Mandej, do t’i sqaroja se në shkrimin tim unë nuk kam bërë asnjë akuzë ndaj Shkëlqesisë së Tij, Presidentit të Republikës, siç spekuloi gazetari që bëri pyetjen, me gjasë për ta “peshkuar” siç u peshkua në fakt i ndërsyeri, sepse bëj pjesë ndër ata qytetarë të vendit tim që i respektoj me nderim autoritetet e larta të shtetit, dhe këtë Edmond Panariti e di shumë mirë, sepse ia kam konfirmuar sa herë ka rënë fjala për Presidentin e Republikës, për Protokollin e Shtetit, për solemnitetin dhe ceremonialin e dekorimeve e plot tema të tjera.
Tani le të vijmë tek ajo që unë kam thënë për zotin Limos Dizdari në një shkrim apel për t’iu gjendur pranë në luftën që kompozitori i madh po bën për të mundur sëmundjen e rëndë dhe për t’iu rikthyer jetës.
Po citoj: “Edhe pse Limos Dizdari nuk është “Nderi i Kombit”, ndërkohë që këtë nderim të lartë shtetëror e kanë marrë edhe “artistë” tallavaje e mejhanesh pa asnjë kontribut, e madje edhe organizata kriminale, shteti ka detyrimin të dëshmojë përkujdesjen maksimale e t’i bëhet krah Limos Dizdarit dhe familjes së tij në këtë betejë të jetës me vdekjen, sepse vepra e tij është pasuri e vyer e artit dhe kulturës së kombit”.
Dhe tani një pyetje: ku e gjen zoti Panarit “insinuatën keqdashëse” dhe pse “është komplet malinje që të spekulosh” sipas asaj që ai tha, pa e ditur se çfarë unë kam shkruar?!

Në çfarë kam spekuluar, apo, pse kam thënë “edhe pse Limos Dizdari nuk është “Nderi i Kombit” ndërkohë që këtë nderim të lartë shtetëror e kanë marrë edhe “artistë” tallavaje e mejhanesh pa asnjë kontribut, e madje edhe organizata kriminale?
Kam thënë një të vërtetë në fakt, aq sa jam gati ta sfidoj publikisht Edmond Panaritin, të cilin e ftoj që të marrë listën e të gjithë atyre që që janë nderuar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” prej Nënë Terezës, Dritëro Agollit, Ismail Kadaresë e deri tek Ferdinand Samarxhiu dhe Bujar Qamili që janë ndër emrat më të fundit, për t’i dëshmuar se mes këtyre emrave të respektuar, ka edhe plot të tjerë pa asnje kontribut, pa asnjë meritë përveç mediokritetit, e madje, ka në atë listë edhe emra ish bashkëpunëtorësh të ish UDB-së jugosllave apo edhe organizata kriminelësh e terroristësh!
Merreni atë listë që prej kur ka filluar të jepet dekorata e lartë “Nderi i Kombit” zoti Panariti, dhe ejani t’jua dëshmoj emër për emër për sa ju thashë më sipër, e pastaj diskutojmë se kush bën insinuata keqdashëse apo kush mban qëndrime malinje.
Përgjatë gjithë karrierës time profesionale si gazetar, por edhe politike në të gjitha angazhimet e mia publike dhe institucionale, kurrë, asnjëherë dhe në asnjë rast të vetëm nuk kam bërë asnjë insinuatë keqdashëse, apo më keq akoma, të kem spekulluar aq sa dikush të ketë guxuar të më drejtohet me fjalët “është malinjë të spekullosh”.

Ti je i pari o Edmond Panariti, që nuk pate as kurajon intelektuale që të paktën të thoje se falenderoj Luan Ramën për apelin që bëri dhe na e solli në mendja Limos Dizdarin, për të cilin ju as denjuat që të bënit një akt njerëzor e krejt qytetar, që të paktën t’i kishit dërguar një mesazh urimi në datën e lindjes kur ai u bë tetëdhjetë vjeç, më datën 7 shkurt të këtij viti, se për ndonjë gjë më shumë se aq as e pretendoj.
Por kjo është një temë tjetër dhe nuk ka lidhje me njerëz të ndërsyer, sepse është çështje dinjiteti, çështje kulture, çështje qytetarie. Është çështje integriteti!
Pastaj, se çfarë është të shkosh në spitalin ku gjendet Limos Dizdari dhe të përdorësh mikrofonët e ftuar aty për të më sulmuar mua, vetëm e vetëm se thashë një të vërtetë pa sulmuar e përmendur askend, këtë nuk është e nevojshme ta thotë një njeri i ndërsyer, sepse siç thonë në Dibrën e mençurisë, “burri ka kohë me u korit”!
E rëndësishme dhe mbi çdo gjë është që Limos Dizdari të shërohet sa më shpejt dhe të kthehet pranë familjes e ta kemi në mes tonë që të këndojmë bashkë me të “Këputa një gjethe dafine”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb