Një burrë kinez është ekzekutuar pasi qëlloi me thikë një djalë 10-vjeçar japonez në shtatorin e vitit të kaluar – një rast që tronditi Kinën dhe Japoninë dhe ngjalli shqetësime për rritjen e ndjenjave ksenofobike në Kinë. Lajmi u konfirmua nga ambasada japoneze në Kinë për BBC, e cila tha se Ministria e Jashtme kineze i kishte njoftuar për ekzekutimin.
Personi i ekzekutuar, Zhong Changchun, ishte dënuar me vdekje në janar për sulmin ndaj fëmijës, i cili ndiqte mësimet në një shkollë japoneze në qytetin Shenzhen. Sulmi, i ndodhur më 18 shtator – një datë me ngarkesë historike për marrëdhëniet Kinë-Japoni – nxiti tensione të reja diplomatike dhe frikë mes komunitetit japonez që jeton në Kinë.
Ambasada japoneze e përshkroi vrasjen e fëmijës si një akt të pafalshëm dhe theksoi se Tokio e merr me seriozitet të plotë këtë ngjarje. Në deklaratën e saj, ambasada theksoi se qeveria japoneze do të vijojë përpjekjet për të garantuar sigurinë e shtetasve të saj në territorin kinez dhe i bëri thirrje autoriteteve kineze të ndërmarrin masa konkrete në këtë drejtim. Ngjarja shkaktoi pasiguri dhe ankth në mesin e japonezëve që jetojnë në Kinë. Kompani të mëdha si Toyota dhe Panasonic ndërmorën masa shtesë sigurie për punonjësit e tyre. Disa u ofruan bileta falas për t’u kthyer në Japoni, ndërsa të tjerët këshilluan personelin të shmangnin ekspozimin publik.
Rasti gjithashtu vuri në pah përshkallëzimin e nacionalizmit në rrjetet sociale kineze, ku komentet shpesh përmbajnë retorikë anti-të huaj. Data e sulmit përkonte me përvjetorin e incidentit të Mukdenit, një moment kyç që çoi në pushtimin e Mançurisë nga Japonia në vitet 1930 – një ngjarje që mbetet një plagë e hapur në kujtesën historike të Kinës.
Marrëdhëniet midis Kinës dhe Japonisë janë përfshirë prej kohësh nga tensione të thella historike. Pekini ka kërkuar vazhdimisht që Tokio të kërkojë falje për krimet e së kaluarës gjatë luftës dhe kolonializmit, duke kritikuar gjithashtu mënyrën sesi këto ngjarje trajtohen në librat shkollorë japonezë.
Ngjarja e Shenzhen-it nuk ishte e vetmja e këtij lloji. Në një tjetër sulm të ndodhur vitin e kaluar, një burrë goditi me thikë një nënë japoneze dhe fëmijën e saj në një stacion autobusi në Suzhou – incident që përfundoi me vrasjen e një gruaje kineze që u përpoq t’i mbronte. Edhe ai autor është ekzekutuar, sipas autoriteteve japoneze. Në tërësi, këto incidente kanë nxitur shqetësime për sigurinë e të huajve në Kinë, në një klimë gjithnjë e më të tensionuar politike dhe sociale.