Kjo është një grua 49 vjeçe nga Shkodra e cila për 20 vite me radhë është dhunuar nga bashkëshorti i saj. Vitin e kaluar gruaja, nënë e dy fëmijëve përjetoi një tmerr pasi bashkëshorti tentoi ta mbyste me thikë teksa ai ishte në gjendje të alkoolizuar. Gruaja, e cila nuk dëshiron të identifikohet tregon se prej një viti bashkëshorti ndodhet në burg, por vendimi i dënimit me tre vite e gjysmë nga Gjykata e Apelit sipas saj nuk është zbardhur ende ashtu siç e dhunuara nuk ka as urdhër mbrojtje me argumentimin e Gjykatës së dhunuesi është i dënuar.

49-vjeçarja thotë se dhuna fizike dhe e çdo forme tjetër nga bashkëshorti nisi që pas javës së parë të martesës, por ajo u detyrua të durojë duke mos patur se ku të shkonte deri në 5 shkurtin e vitit të kaluar kur bashkëshorti tentoi ta godiste me thikë. Gruaja e dhunuar rrëfen se si djali i saj 14-vjeçar ishte ai që e shpëtoi nënën nga babai duke lajmëruar menjëherë policinë, teksa po tentonte ta qëllonte me thikë.

Nëna e dy fëmijëve, e cila po ndihmohet prej më shumë se 8 muajsh nga organizata “Gruaja tek Gruaja” thotë se është edhe e pastrehë. Banesa ku jeton sot është në emrin e vëllait të bashkëshortit dhe në rast se divorcohen ka vendosur që ta nxjerrë jashtë kunatën dhe fëmijët e saj. Gruaja ka frikë se kur bashkëshorti i saj me të cilin është në proces divorci të dalë nga burgu ka frikë se mund ta vrasë.

Pavarësisht gjithë vështirësive që ka, 49-vjeçarja i bën një thirrje grave dhe vajzave që të mos pranojnë në asnjë moment të qëndrojnë të dhunuara nga familjarët e tyre apo kushdo qoftë. Vetëm shoqata “Gruaja tek Gruaja” vitin e kaluar ka trajtuar 725 raste të dhunës ndaj grave dhe vajzave në Shkodër. Ky numër është shumë më i madh duke marrë parasysh edhe rastet e tjera të dhunës që trajtojnë organizata të tjera, vetë institucionet shtetërore apo edhe ato raste kur gratë dhe vajzat nuk arrijnë të denoncojnë dhunën. Rastet e dhunës në familje janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb