“Mbi aksionin e opozitës po vërtitet hija naivo- feminore e 18 majit: ajo se revolucioni mund të përfundojë me negocim. Po të shohësh ditët e fundit, si në fjalorin dhe protestat e organizuara nga dy liderët kryesorë, thirrjet për dhunë janë zëvendësuar me ato për paqe.” kështu e komenton analisti Andi Bushati zhvillimet më të fundit politike në vend.

Në një shkrim të tij, Bushati thekson se sllogani i famshëm “në 30 qershor nuk ka zgjedhje” tani po zbutet e po rrumbullakoset duke i shtuar edhe konceptin “ato nuk do i njohim”. Pra mesazhi është krejtësisht i ndryshëm: “votimet do të bëhen, por opozita nuk do ti marrë në konsideratë”.

Shkrimi i plotë:

Mbi aksionin e opozitës po vërtitet hija naivo- feminore e 18 majit: ajo se revolucioni mund të përfundojë me negocim. Po të shohësh ditët e fundit, si në fjalorin dhe protestat e organizuara nga dy liderët kryesorë, thirrjet për dhunë janë zëvendësuar me ato për paqe. Kreu i PD bëri ç’është e mundur të propagandonte se mitingun e të premtes do të dilte me vajzat, të njëjtën gjë ia kërkoi edhe ish deputetëve të tij, ndërsa Monika Kryemadhi është shndërruar nga “shtrigë” në “ëngjëll”, që pas udhëtimit shëndetësor jashtë Shqipërisë.

Ka edhe më, sllogani i famshëm “në 30 qershor nuk ka zgjedhje” tani po zbutet e po rrumbullakoset duke i shtuar edhe konceptin “ato nuk do i njohim”. Pra mesazhi është krejtësisht i ndryshëm: “votimet do të bëhen, por opozita nuk do ti marrë në konsideratë”.

Në fakt, që kur opozita përzgjodhi rrugën radikale të djegjes së mandateve dhe bojkotimit të zgjedhjeve lokale, përpara saj u hapën dy rrugë, të dyja legjitime dhe të justifikueshme për gjendejen që kalon vendi: ose rregjimi të refuzohej paqësisht dhe përmes metodave gandiane të pritej me durim deri sa ai të shkërmoqej duke ilustruar përpra qytetarëve rrezikun e rikthimit të një diktature, ose së dyti, të tentohej përmbysja e tij me dhunë.

Nga 16 shkurti e deri përpara dy- tre javësh, opozita vuri bast për opsionin e dytë. Vetë Basha u thoshte njerëzve pranë tij që predikonin variantin e parë se ky do të qe shkatërrimi i PD-së, se nëse Rama arrinte të mbante zgjedhje, fibra opozitare do të shkërmoqej për një kohë të gjatë.

Në mbështetje të kësaj optike u shfaqën në protesta militantët me maska, molotovë, gurë dhe shkopinj. Në emër të saj Tirana u pasqyrua në mediat botërore si kryeqyteti i një vendi në prag të luftës civile.

Sa do brutale, e egër, me risk, që të dukej kjo rrugë, në fund të fundit, ajo qe e përligjur. Përballë një regjimi që mbahet në këmbë falë lidhjeve me krimin, që shpërndan gjithë pasurinë e përbashkët në duar të dhjetë vetëve dhe që në fund, kur për këto duhet të përballet më zgjedhjet, vë në punë narkotrafikantët për të ndryshuar rezultatin, ndoshta nuk ka zgjidhje tjetër.

Por habia, çoroditja, hallakajtja e militantëve të opozitës është se kjo rrugë duket se po braktiset në apogjeun e saj.

Duke dalë mbrëmë për të thënë se dhuna i shërben Edi Ramës (po të qe kështu s’duhet të ishte ushtruar asnjë ditë) dhe duke vënë theksin tek bojkoti i zgjedhjeve, përpara versionit të prishjes së votimeve, Lulzim Basha po merr një kthesë të rrezikshme. Ai po ringjall fantazmën që e ndjek nga pas, që kur ka hyrë në politikë: atë të një politikani që nuk duhet marrë seriozisht.

Duke dhënë shenja se është i gatshëm të bëjë prapakthehu, ai po vërteton të gjitha tezat e makinerisë propagandistike të Edi Ramës.

Prej disa javësh, mediat pranë qeverisë po i bien burive se Basha dhe Kryemadhi do të zbythen, se atyre i’u a kanë futur ndërkombëtarët këmbët në një këpucë, se amerikanët po i tundit prangat e burgut dhe se ata nuk kanë mendere për ta përballuar këtë sakrificë, sepse kanë tepër për të humbur.

Nuk ka rëndësi se sa qëndrojnë këto teza, se sa janë ato fryt i shantazhit apo copëza të së vërtetës, e rëndësishme është që nëse Basha dhe Kryemadhi ndërmarrin, disa ditë para 30 qershorit, një piruetë të turpshme, ata i japin 100% kredibilitet atyre. Ata hyjnë në lëkurën e opozitarëve karagjozë që mendojnë vetëm për veten, duke shpallur mbi tryezë revolucionin dhe duke kërkuar poshtë saj negocimin e tij.

Ata e kanë mbarsur aq keq popullin opozitar, ata kanë ngritur sa e sa intelektualë të përqafojnë hashtagun #edheunë, ata kanë sakrifikuar penalisht qindra militantë dhe njerëz që do të dalin nga zyrat e shtetit, sa në këtë pikë janë të dënuar të mos kthehen më mbrapsht edhe sikur një skuadër marinsash t’i kidnapojnë me helikopterë.

Prandaj, nëse e bëjnë këtë kthesë groteske, ky do të jetë fillimi i fundit të kësaj opozite. Sot ajo nuk rrezikohet, as nga përdorimi i dhunës, as nga përplasja, as nga shpallja organizatë terorriste dhe as nga karantina ndërkombëtare. Sot ajo ka një rrezik më të madh: tradhëtimin nga liderët e saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb