TIRANË- Kreu i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi ka reaguar pas falënderimit të ministrit për Punët e Jashtme Ditmir Bushati për homologun e tij grek tashmë të dorëhequr Nikos Kotzias.

Idrizi hedh një lum akuzash ndaj Kotzias duke e quajtur të pavend falënderimin e Bushatit. Ai e cilëson ish-ministrin grek, homologu i uzos dhe Zorbës ndërsa i numëron varret e grekëve të ngritura në Shqipëri, heqjen e vendlindjes së parardhësve nga pasaportat, marrëveshjen e ujërave etj.

Në fund Idrizi thotë se Çamëria do jua ngrijë buzëqeshjen në buzë dhe çdo akt tradhtie ndaj saj.

DEKLARATA E IDRIZIT
Ministri ynë i Jashtëm paska shprehur falënderimin për Ministrin e dorëhequr të shtetit grek, Kotzias. Nuk di se për çfarë e falënderon homologun e uzos dhe të Zorbës ministri ynë??? E falënderon për varret e ushtarëve grekë që sot ngrihen në territorin tonë megjithëse erdhën si pushtues, ndërsa të rënët tanë që u therën në prag të shtëpisë, ende sot janë shpirtra pa varr? E falënderon për marrëveshjen e turpshme të toponimeve që heq qytetet e vendlindjes së pleqve tanë nga pasaportat e shtetit shqiptar duke vazhduar kësisoj politikën e diskriminimit ndaj nesh? E falënderon për marrëveshjen e ujërave për të cilën Kotzias mburrej se do merrte ujërat tanë duke zgjeruar të vetat nga 6-12 milje? E falënderon se mos hoqi ligjin e luftës e sot ministri ynë bën sikur harron se po falënderon ministrin e një shteti me të cilin është zyrtarisht në luftë? E falënderon se bërtiste që çështja çame nuk ekziston e që shqiptarët e çamërisë ishin bashkëpunëtor me nazizmin? E falënderon se po punonin bashkë për të hequr termin ‘Çamëri’ nga tekstet shkollore shqiptare?
Por Çamëria, duhet ta dini që do jua ngrijë buzëqeshjen në buzë njësoj si Kotziasit. E drejta e nëpërkëmbur e shpirtrave që humbën jetën dhe të atyre që lanë pas një jetë të tërë e shtëpitë e tyre është haku njerëzor që do ngrijë çdo akt tradhtie ndaj saj e do na mbajë gjithë jetën tonë përballë armiqve e në krah të miqve. Ne nuk harrojmë!!!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb