TIRANË- Analisti Andi Bushati i ka bërë thirrje sot Presidentit të Republikës Ilir Meta të bëjë transparencë mbi arsyet e mosdekretimit të Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm. I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Bushati ka komentuar zhvillimet e fundit në vend. Ai e cilësoi fjalimin e kryeministrit Edi Rama sot në parlament ‘të mirë taktikisht’, ndërsa nuk mohoi negociatat për dekretimin e Lleshit si ministër.

“Si zëvendës ministër është i ligjshëm. Atributet janë aq sa mund të bëjë. Gjërat që nuk i bën dot nuk i bën. Nuk e përfaqëson dot Shqipërinë si ministër i Brendshëm por mund të japë urdhra tek vartësit në ministri.
Fjalimi i Ramës sot sihte një fjalim i mirë taktikisht. Prej ditësh thuhet se ka një tension, një çarje konstitucionale. Rama ka folur jo për të zgjidhur gjëra por për publikun. Ka veshur petkun e atij që mua nuk më interesojnë polemikat por ai që do të gjejë zgjidhje. Kjo ishte qasje e Ramës. A mund të zgjidhë kjo probleme, vështirë për aq sa kohë as Meta e as Rama nuk thonë kleçkën e vërtetë të ngërçit. Meta thotë nuk e dekretoj do ia them vetëm sekret Kuvendit. Rama thotë është qesharake, do e zgjidhim. Nga ana taktike them se Rama ka bërë fjalimin e duhur”, u shpreh analisti.

Lidhur me zbatimin e Kushtetutës, Bushati e krahasoi me një lojë futbolli.
“Meta po thotë se unë po veproj në bazë të kushtetutës. Është si një ndeshje futbolli dhe asnjëra nga palët s’ka të drejtë të thotë ishte penallti, duhet të vendosë arbitri. Ky debat po zhvilloeht në mungesë të Gjykatës Kushtetuese.
Edhe presidenti thotë nuk e kam bindjen e plotë, pra një gjysmë bindje e ka. Deri sa po takohen besoj se po negociohet. Si do jetë rezultati i këtyre negociatave askush nuk di ta thotë pa ditur shkakun e divergjencave”, vijoi Bushati.

I pyetur për kandidaturën e Sandër Lleshit dhe pse këmbëngul kryeministri Edi Rama, Bushati tha se është e drejta e tij. “Atë ka gjykuar se ia bën më mirë atë punë që kërkon Rama. Unë besoj se çdo ministër i Edi Ramës është një kukull. E kemi kaluar kohën kur mund të kishim ministra me personalitet. Është quajtur si akti më i madh i mundshëm fakti se Pandeli Majko nuk pranoi të miratonte një ligj. Deri këtu shkon disidenca”, u shpreh ai.

Lidhur me mundësinë që Presidenti të marrë një pozicion politik, Bushati tha:
“Meta ka krijuar një precedent të pandodhur sot në 30 vjet. Meta i ka bërë një interpretim shumë kreativ kushtetutës. Të gjitha këto mund të kenë kuptim kur Meta t’i bashkëngjitet jo opozitës por përtej një fronti opozitar. Debati i ngushtë konstitucional juridik është thjesht tek gjykata Kushtetuese. Po të dëgjonit me vëmendje fjalën e Ramës në Kuvend e lë të hapur dhe këtë hipotezë”.

Bushati u ndal dhe tek dekreti i Presidentit për kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror.
“Moralisht do të thoja se Meta kishte të drejtë që nuk dekretonte Bendon. Kjo maxhorancë për 4 vite ka thënë se Visho Ajazi po punon kundër nesh, është dora e Berishës. Ka zëra se çështjen e Xhafës e hapi ai, në këtë çështjen e Babales ka qenë dora e SHIK-ut. Në këtë situatë Edi Rama e merr dhe e propozon ambasador në NATO, këtu vetëm pak shtetarësh është, jo mëkatarësh. Presidenti nuk do e pranonte këtë marrëveshje të bërë në fshehtësi”, tha ai.

Duke iu rikthyer çështjes së Sandër Lleshit, Bushati tha se duhet transparencë me publikun.
“Para se të bëjmë analizë ne duhet t’i kërkojmë Presidentit, ke marrë një vendim, bëju transparent jo vetëm me Edi Ramën por edhe me publikun. Nuk mundet që një drejtues shtetit të marrë një vendim të paprecedentë dhe të mos tregojë arsyet për publikun. Debati ka kaluar në atë pikë sa është e rëndësishme transparenca për publikun. Nëse Ilir Meta refuzon të japë arsyetimet, barra e fajësisë për transparencën mbi të”, tha analisti.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb