GJENEVË- Në kuadër të anëtarësimit për herë të parë të Republikës së Shqipërisë në Këshillit për të Drejtat e Njeriut për periudhën 2015-2017, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati mori pjesë në debatin politik të sesionit të 28-të, i cili po zhvillon punimet në Gjenevë.

Gjatë fjalës së tij në këtë debat, Bushati u ndal në rëndësinë e bashkëpunimit mes vendeve të ndryshme për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në botë.

Ministri i Punëve të Jashtme ndër të tjera, tha se “Shqipëria ka shumë sfida përpara por ne si qeveri jemi të vendosur për të siguruar në veçanti të drejtat e grave dhe fëmijëve”.

Bushati vlerësoi kontributin dhe vlerat e Këshillit dhe Komisionierit të Lartë për të drejtat e njeriut në mbrojtjen, promovimin dhe respektimin e tyre kudo në botë. Ministri u ndal në objektivat e Shqipërisë, si anëtare e KDNJ-së, sa i përket respektimit të të drejtave të pakicave, shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit, angazhimit për të ulur pabarazinë gjinore dhe promovimit e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, në përputhje me angazhimet ndërkombëtare.

Ministri theksoi forcën e harmonisë fetare në Shqipëri, si një model inkurajues, i vlerësuar edhe gjatë vizitës së Papa Franceskut në Tiranë. Duke iu referuar fenomenit të dhunës në emër te besimit, Ministri Bushati vlerësoi se liria e besimit nuk duhet përdorur kurrë si pretekst për veprime kundër dinjitetit dhe lirive themelore të njeriut.

Gjatë qëndrimit të tij në Gjenevë, Ministri Bushati zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Algjerisë, Ramtane Lamamra. Gjatë këtij takimi palët diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe inkurajimin e shkëmbimeve te vizitave mes dy vendeve. Dy ministrat diskutuan mbi zhvillimet në vendet dhe rajonet përkatëse, si dhe ndanë pikëpamje mbi sfidat e përbashkëta të sigurisë. Ministri Lamamra ftoi Ministrin Bushati që të zhvillojë një vizitë në Algjeri.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: