Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ishte i pranishëm në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila nisi punimet me temën “OKB në shërbim të popujve, udhëheqje globale dhe ndarje përgjegjësish për shoqëri paqësore”.

Ministri Bushati në një komunikim për mediat u shpreh se takimi mbahet në një moment shumë të rëndësishëm kur multilateralizimi dhe bashkëpunimi anë e mbanë botës janë vënë si rrallëherë në pikëpyetje. Kësisoj kërkohet që Organizata e Kombeve të Bashkuara jo vetëm të jetë më e pranishme në zonat e konfliktit por edhe të garantojë zbatimin e programeve zhvillimore që zbusin hendeqet mes rajoneve të caktuara të globit.

42443935 314529992673289 7391497867258494976 N

Gjatë punimeve të Debatit të Përgjithshëm të OKB-së, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh me fokus ruajtjen dhe forcimin e paqes në botë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, krijimin e mundësive për zhvillim e ekonomik të qëndrueshëm, ndërkohë që  paralelisht do zhvillojë disa takime dypalëshe. Në takimet dypalëshe Ministri Bushati, përveç çështjeve që i përkasin agjendës së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera, do të kërkojë edhe mbështetjen e këtyre vendeve për kandidaturën e vendit tonë për vend jo të përhershëm në Këshillin e Sigurimit.

“Shqipëria vjen me ambicien e saj në këto punime, pasi po kërkon një vend jo-permanent për në Këshillin e Sigurimit për periudhën 2022-2023 dhe fushata jonë e komunikimit me partnerë e  vende të cilat e njohin Shqipërinë apo që dinë pak rreth Shqipërisë  sapo ka filluar, me qëllim që të përmbushim këtë objektiv të politikës tonë të jashtme”, nënvizoi Ministri Bushati. Shqipëria mbështet gjithashtu reformën e OKB-së e cila synon dhe pritet që ta fokusojë organizatën drejt nevojave që kanë vende të caktuara duke e bërë më pak burokratike dhe duke iu përgjigjur sfidave të një bote e cila duket se e ka të vështirë për të gjetur ekuilibrin e saj.

e.f/BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb