Deputeti socialist, Ervin Bushati, po zhvillon një vizitë zyrtare në Parlamentin Britanik, ku po merr pjesë në 70-vjetorin e Këshillit të Evropës, në fokus të së cilit është “Liria e medias dhe funksionimi i institucioneve demokratike”.

Në një mesazh në “Facebook”, deputeti i PS shkruan se sot media luan një rol vendimtar sa i takon ndërtimit të binarëve të një demokracie të mirëfilltë, madje sipas tij, mund të cilësohet edhe si oksigjeni i demokracisë.

Mesazhi i Ervin Bushatit:

Vizita zyrtare në parlamentin britanik: Këshilli i Europës 70 vite si garant në demokraci, sundimi ligjor & drejta njerezore

Privilegj të përfaqsoj Shqipërinë në Parlamentin Britanik, në një moment shumë të rëndësishëm. Krenar për vendin tim, Sot në 70 vjetorin e Këshillit të Europës, standard Demokratik & mbrojtës i të drejtave të Njeriut. Me të drejta të barabarta, të Integruar në familjen më te madhe të Demokracisë në botë. Agenda në 3 ditë të ngarkuara me diskutime përfshin: Lirinë e Media, Zgjedhjet në Turqi, Institucionet Demokratike në Poloni, Raporti Monitorimit në Ukrainë, Serbi, Bullgari, Gjeorgji etj. Sot në Parlamentin Britanik në fokus është “Liria e medias dhe funksionimi i institucioneve demokratike”, parlamentarët e vendeve të ndryshme të pranishëm në këtë takim pritet të diskutojnë për lirinë e medias në shtetet anëtare, për mangësitë e mediave sot si dhe do të diskutohen mënyrat për të forcuar pavarësinë e këtij mediumi. Sot media luan një rol vendimtar sa i takon ndërtimit të binarëve të një demokracie të mirëfilltë, madje mund ta cilësojmë edhe oksigjenin e demokracisë. Jo më kot sot media cilësohet si “pushteti i katërt” i një shteti, pas fuqive të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. Ajo ka rolin e një gjyqtari që vlerëson ose ndëshkon punën e institucioneve shtetrore, por gjithmonë duke mbajtur anën e popullit dhe duke ruajtur interesat e tyre. Nuk duhet të harrojmë që liria e medias dhe liria e fjalës zënë një vend të rëndësishëm në kriterin politik të Kopenhagenit për anëtarësim në BE. Garantimi i lirisë së shprehjes është kaq thelbësor për vendin tonë për të pasur një demokraci solide dhe të drejtë, njësoj siç është garantimi i së drejtës për një gjykim të lirë dhe të drejtë, të drejtës së pronësisë, të drejtës për përfaqësim të lirë dhe të ndershëm. Për një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, respekti për lirinë e shprehjes dhe mediave është një tregues kyç i gatishmërisë dhe pjekurisë demokratike të vendit kandidat. Nuk ka asnjë rajon apo vend që të ketë arritur përsosmërinë në lidhje me lirinë e shprehjes dhe mediave. Ne po punojmë, si vendimmarrës dhe politikëbërës, me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, për një kuptim të drejtë të lirisë së shprehjes dhe medias, si baza për pjesëmarrjen e qytetarëve në politikë, si themel i një shoqërie demokratike, si gur kilometrik në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pikërisht krijimi i kornizave kombëtare për promovimin dhe mbrojtjen e medias së lirë është kryefjala e këtij takimi i cili ka mbledhur ekspertët më të mirë ku të pranishëm janë: Alastair King-Smith, Koordinatori i Fushatave Globale për Lirinë e Medias; Jamie Angus, Drejtor i BBC World Service Group; Rebeca Vincent, Drejtor i Byrosë së Mbretërisë së Bashkuar për Reporterët pa Kufij; si dhe kolegu Lord George Foulkes Raportuesi i Përgjithshëm për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve nga Parliamenti Britanik

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb