SHKODER

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, në cilësinë e drejtuesit politik për qarkun e Shkodrës zhvilloi një takim me banorë të Postribës.

Gjatë bisedës me banorët u evidentuan problematikat dhe nevojat që shqetësojnë komunitetin në këtë zonë, si dhe bashkërendimi për zgjidhjen e një sërë problemesh që lidhen me mungesën dhe harresën e pushtetit lokal.

Gjatë fjalës së tij, Bushati tha se fokusi është në fuqizimin e strukturës dhe evidentimin e problemeve kryesore që ndeshen komunitetet, duke nisur nga sherbimet bazike si dhe mungesa e ujit të pijshëm. Zgjedhja e përfaqësuesve për pushtetin lokal, shtoi ai, do të bëhet që sot përmes aktivizimit për të konstatuar njerëzit e duhur që do të përfaqësojnë banorët, dhe jo në momentin e fundit kur të hartohen listat për kandidatët vendorë.

“Është e rëndësishme të kuptojmë që ne kemi pushtetin qendror, po nuk mundemi dot të zëvendësojmë bashkinë Shkodër. Janë disa punë që konsiderohen si punë komunale, uji, përmirësimi i shërbimeve, rrugët e brendshme etj, që nuk mund ti bëj qeveria qendrore”, tha Bushati, duke shtuar se qeveria qendrore ka për detyrë të bëj projekte madhore kombëtare, por jo projektet e vogla që i kanë bashkitë. Duke pasur parasysh mangësitë e punës së bashkisë Shkodër, Bushati tha që është e rëndësishme një organizim i mirë të strukturave për të përcjellë në mënyrën më të mirë mesazhin tek njerëzit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb