ATHINE

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, Nikos Kotzias dhe Nicola Dimitrov ishin të pranishëm bashkë në Athinë, në konferencën shkencore të organizuar nga Ministria e Jashtme Greke dhe Universiteti i Pireut. Bushati, i cili negocioi gjatë me Kotzias paketën e çështjeve mes dy vendeve tona, shpjegoi rrugëtimin e negociatave, duke e cilësuar si shumë të vështirë.

“Nga eksperianca ime në raportet dypaleshe me Greqinë, gjëja më e lehtë është të parashtrosh pozicionin tënd përballë fqinjit dhe kjo të bën shumë të pëlqyer brenda vendit por ama është e pamjaftueshme për të ndryshuar gjërat. Së bashku me Nikos Kotzias dhe me ekipet tona ne vendosëm që të angazhohemi për të zgjidhur çështjet dypaleshe të paketës dhe unë besoj që diplomatet tanë dhe Kryeministrat do ta perfundojnë këtë proces, duke siguruar cilesinë dhe integritetin e debatit publik, i cili nuk duhet lejuar që të helmohet. Unë shpresoj që paketa me Greqinë do të kthehet në një histori tjetër suksesi në rajonin tonë”, nënvizoi ai.

Ndërsa ish-Ministri i Jashtëm Grek Nikos Kotzias e cilësoi Bushatin një ministër mjaft inteligjent dhe krijues.

“Vijuam për të zgjidhur probleme prej dekadash me Shqipërinë. Miku Ditmir Bushati, një Ministër jashtëzakonisht inteligjent dhe krijues, së bashku me ekipin e tij negociues, arriti së bashku me ne, në zgjidhjen e pothuajse të gjithë këtyre çështjeve. Disa duket se nuk dëshirojnë përfundimin zyrtar të gjendjes së luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë që nga Lufta e II Botërore. Por ne kemi ndërmarrë hapa seriozë në bashkëpunimin tonë. Ditmir të falënderoj për çdo gjë të mirë që bëmë për popujtë tanë dhe për bashkëpunimin e shteteve tona”.

Gjatë qëndrimit në Athinë, Bushati zhvilloi takime me perfaqësues të spektrit politik grek, ku në qëndër të diskutimeve ishte bashkëpunimi dypalësh.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb