TIRANË- Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati është takuar sot me homologun e tij maqedonas Nikola Poposki, me të cilin ka biseduar një sërë temash të rëndësishme si dhe për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Dialogu politik në Maqedoni është në rrugë të mbarë. Ndamë pikëpamjet se bashkëpunimi ekonomik nuk i përgjigjet bashkëpunimit politik. Diskutuam edhe për çështje specifike. Ramë dakord për menaxhim të përbashkët të rezervave ujore”, tha Bushati.

Ndërkohë një prej temave të rëndësishme mes dy ministrave ka qenë edhe çështja e lumit Radika. Lidhur me këtë, pas takimit ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Poposki tha se projekti ka të bëjë me zgjerimin e Radikës.

“Bëhet fjalë për një projekt për zgjerim të Radikës ndërsa financimi do të bëhet nga institucioneve ndërkombëtare. Është në hapat e fundit edhe raporti për ndikimin në mjedis. Nëse vlerësimi është pozitiv, do vijohet me projektin”, konkludoi Poposki.

Ndërsa Bushati theksoi se “flitet për një menaxhim në përputhje të së drejtës ndërkombëtare nga të dy vendet. Dy qeveritë tona janë në kontakt të vazhdueshëm”.

Ministri i Jashtëm i është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve në lidhje me rrjetin e trafikut të kokainës të zbuluar pak ditë më parë në Xibrakë për të cilën opozita hodhi akuza se dy shtetasit kolumbianë të arrestuar janë ndihmuar me viza.

Gjithashtu Bushati ka folur edhe për çështjen e ambasadorit Neritan Ceka në Itali.
“Procesi i lirimit nga detyra i çdo ambasadori në çdo vend të botes ka të bëjë me burimet njerëzore”, tha ministri Bushati..

Takimi mes dy ministrave të jashtëm të Maqedonisë dhe Shqipërisë vjen pas një sërë takimesh të tjera mes krerëve të dy vendeve. Pak ditë më parë Kreu i Parlamentit, Ilir Meta pati një vizitë të suksesshme në Maqedoni. Gjithashtu edhe ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka takuar krerët më të lartë të shtetit në Maqedoni.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb