Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, u ka uruar suksese të gjithë studentëve për vitin e ri akademik.

Në një status në Facebook, ai shkruan se për studentët është një rrugë që duhet të bazohet fort te dija dhe puna.

“Ju jeni në fakt përfituesit më të mëdhenj të procesit të integrimit europian, por njëkohësisht edhe humbësit më të mëdhenj nga sherrnajat politike të brendshme,” shkruan Bushati.

Statusi i plotë

Suksese të gjithë studentëve në mbarë vendin për vitin e ri akademik! Rruga që keni nisur sot nuk është një rrugë me petale e as me gjemba, po një rrugë që duhet të bazohet fort te dija dhe te puna. Investoni në dije për veten, familjen dhe atdheun tonë të përbashkët. Ju jeni oponentët e vërtetë të punës sonë dhe testi final i reformave të ndërmarra, arritjeve dhe dështimeve tona. Ju jeni në fakt përfituesit më të mëdhenj të procesit të integrimit europian, por njëkohësisht edhe humbësit më të mëdhenj nga sherrnajat politike të brendshme. Prandaj, përfshirja juaj aktive në jetën publike është investimi më i sigurtë i të ardhmes sonë europiane.

BalkanWeb

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb