Alban Bushi, trajneri i kombëtares U-21 të Shqipërisë, ka folur sot për ndeshjen e 6 shtatorit kundër Spanjës, e vlefshme për kualifikueset e Europianit të kësaj grupmoshe.

Lista e futbollistëve

Si fillim duhet të falënderoj të gjithë futbollistët e kombëtares U-21 që nuk janë të grumbulluar kësaj herë, kjo për shkak se po ndërtojmë ekipin e së ardhmes. Dua të veçoj këtu Çinarin, Krymin, Bytyçin, Çollakun, Dyrmishin dhe Tolin. Nga tetori e tutje na duhet të mendojmë për futbollistët e datëlindjes ‘98-’99.

Përballja me Spanjën

Kemi prodhuar futboll dhe kemi zhvilluar ndeshje të mira. Ajo që na ka munguar është eksperienca. Kemi pasur shumë futbollistë që nuk kanë minuta me klubet e tyre. Kemi lojtarë premtues për kombëtaren e parë. Panucci ka marrë 5 të tillë. Në kompleks nuk e meritonim të jemi aty ku jemi. Matematikisht e kemi një shans për vendin e dytë.

Ekipi është i kompletuar dhe lojtarët kanë luajtur në klubet e tyre. Kemi 2 futbollistë nga skuadra e parë si Ramadani dhe Abazaj. Them se do të shënojmë në Spanjë. Duhet të luajmë kujdesshëm pasi Spanja të hap probleme dhe mund të të shkatërrojë totallisht. Duhet të japim 200% të mundësive për ti përballuar. Uroj që të jemi në ditë të mirë dhe Spanja në ditën e saj më të keqe.

Për Kristal Abazajn dhe Ylber Ramadanin

Unë jam i kënaqur që Abazaj dhe Ramadani janë këtu me ne. Abazaj nuk luan te Anderlehti por them se do të bëjë mirë. Them se kjo është prej zgjedhjeve taktike ose teknike që bën trajneri. Kemi lojtarë të tjerë që shumë shpejt do ti shohim me kombëtaren e parë. Duhet vetëm pak kohë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb