Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, në prag të ndeshjeve që kuqezinjtë luajnë me Çekinë dhe Anglinë për llogari të kualifikueseve të Europianit të 21-vjeçarëve, ka dalë para mediave për të folur për këto dy ndeshje dhe jo vetëm.

LOJTARËT E SHUMTA NGA ABISSNET SUPERIORE – “Kampionati në gjithë vitet e fundit ka pasur rritje. Kemi marrë edhe herë të tjera, por jo kaq shumë. Kemi marrë disa lojtarë që janë të datëlindjes 2002, 2003, që të jenë edhe për sezonin e ardhshëm. Ne mendojmë edhe për të ardhmen. Duke qenë se trajneri Reja merr shpesh lojtarë nga Shqipëria U-21, ne mendojmë edhe për të ardhmen”.

SYNIMET NË DY PËRBALLJET – “Janë ndeshje shumë të rëndësishme për ne, janë ekipe shumë të forta. Edhe ne jemi të fortë. Pavarësisht se kemi humbur në Çeki 4-0, kemi bërë një lojë të mirë. Humbja nuk justifikohet. Këto takime janë vendimtare për ne. Për sa kohë matematika na lejon për të kapur vendin e dytë, ne do të shpresojmë dhe do të sakrifikojmë t’ia bëjmë hyzmetin deri në fund. Sidomos në ndeshjen e parë, për të fituar në ndeshjen me Çekinë. Kemi bërë ndeshje të mira këtë edicion, duke mundur Slloveninë këtu. Kemi gabuar në dy ndeshjet e fundit, në Slloveni dhe Kosovë. Të paktën me Kosovën nuk duhet të kishim humbur si shkoi loja, por futbolli i ka të gjitha rezultatet. Shpresojmë që këto dy ndeshjet të bëjmë mirë nga dy ndeshjet e fundit”.

PORTIERËT NGA KAMPIONATI SHQIPTAR – “Kemi portierë edhe nga jashtë, si Molla, i cili është te Bolonja dhe luan me ekipin e 19-vjeçarëve dhe stërvitet me ekipin e parë. Mendoj që portierët, edhe Dema i Teutës, janë cilësorë.. Portierë ka Shqipëria, si Simoni që është një nga talentet dhe është i datëlindjes 2004. Mendoj se siç janë portierët, janë edhe të tjerë.

Kemi edhe Bajramin që është te Benfica, apo Konjuhi që ka qenë të Malmo. Janë dy lojtarë të rëndësishëm, perspektivë për ekipin A. Gjithashtu edhe Bebeziqi që është datëlindje 2003, pjesë e Olimpija Ljubjana, edhe ai është premtues. Shpresojmë që për Bajrmin dhe Konjuhin të bëhen pasaportat kësaj jave. Shpresojmë që t’u bëhet dhe të jenë pjesë të ekipit, pasi janë të rëndësishëm. Kemi mungesën e Asllanit, që e kishim menduar të ishte pjesë e jona, por do jetë pjesë e kombëtares A.

Na bëhet edhe qejfi, por na prish edhe planet, pavarësisht se ekipi U-21 është për të furnizuar ekipin A. Normalisht të prish ekuilibrat në grup, pasi nuk është se kemi shumë. Një lojtar si Asllani, që luan në Serie A, të prish ekuilibrat. Ne jemi pretendentë për ta kapur vendin e dytë dhe besoj se do t’ia arrijmë, që këtë ndeshje. Gjithsesi na bëhet edhe qejfi që furnizojmë edhe ekipin e A si asnjëherë më parë”.

LISTA – “Kemi lënë jashtë disa lojtarë, pasi kemi menduar për sezonin tjetër. Kemi thirrur Tucin që nuk ka qenë asnjë ndeshje këtë edicion dhe e kishim të rëndësishëm. Qëndroi jashtë gati një vit prej një dëmtimi në gju. Shpresojmë të jetë mirë, pasi është lojtar i rëndësishëm për ekipin. Është potencial për ekipin e parë. Mungesat që kemi shpresojmë të zëvendësohen me këta të rinjtë që kemi marrë, duke krijuar një miks edhe për sezonin tjetër dhe për këtë vit”.

3 PIKË TË KËNAQSHME – “Patjetër që po, pasi përballemi me ekipe të forta. Futboll tani luajnë të gjithë, detajet bëjnë diferencën. E pamë se si e mundëm Slloveninë këtu, edhe pse ishte favorit në letër. Kam besim tek ekipi, sidomos në Shqipëri luajmë mirë dhe jemi shumë të karikuar. Do të sakrifikojmë shumë dhe mendojmë se do ia dalim. I kemi mundësi, i kemi lojtarët, që kanë minuta dhe luajnë në liga të mira. Edhe lojtarët e kampionatit tonë. Kemi Rrapajn që luan këto dy vite rregullisht, i ka hapat e duhura. Si Asllani janë edhe shumë të tjerë. Shpresojmë, që ndoshta e marrim Asllanin, i cili do jetë në Spanjë me ekipin. Ndoshta trajneri Reja na e jep për Çekinë”.

GABIMET NË NDESHJEN E PARË – “Ka pasur gabime të mbrojtjes, amatoreske. Gabimi i portieri është i pafalshëm, por siç gaboj unë gabon edhe portieri. Për 10 minuta shkoi 2-0 dhe çdo ishte thjesht të mbaronte loja, Shpresojmë të jemi në ditë të mirë, të mos bëjmë gabime të tilla. Shqipëria gabon shpesh, jo vetëm ekipi U21, por edhe ekipi A, ekipi U19, U19, edhe ne si popull. Ne bëjmë gabime amatoreske. Luftojmë shumë, sakrifikojmë shumë dhe bëjmë gabime amatoreske. Kjo vjen për shkak se nuk jemi të përqendruar sa duhet. Kur përqendrohemi vështirë të gabojmë. Ndodh në përgjithësi në Ballkan jo vetëm me ne. Shpresojmë të jemi në një ditë të mirë ne dhe Çekia në një ditë të zezë”.

BAJRAMI – “Ai është pjesë e ekipit, e patëm edhe me Slloveninë e Kosovën. Atëherë nuk iu bë pasaporta. Unë shpresoj të na ndihmojë edhe qeveria në këtë pjesë, pasi ai është potencial i madh për ekipin kombëtar A. Është një potencial si Gjimshiti e Kumbulla dhe kam shumë besim se do të ndjekë rrugën e tyre. Të premten kemi ndeshjen, dokumentacioni është dorëzuar dhe presim të marrë pasaportën, ai dhe Konjuhi”, tha Bushi.

Me Çekinë, Shqipëria luan më 25 mars prej orës 19:00, kurse ndaj Anglisë më 29 mars në orën 20:45. Të dyja takimet zhvillohen në “Elbasan Arena”. Kuqezinjtë janë pjesë e grupit 7 dhe renditen në vendin e tretë me 9 pikë në 6 ndeshje të zhvilluara, duke lënë pas për momentin Slloveninë, Kosovën dhe Andorrën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb