TIRANE-Në një dalje publike për mediat, këshilltarit bashkiak i Partisë Demokratike, Akil Kraja ka thënë se me kalimin e buxhetit të bashkisë së Tiranës për vitin 2018 do të rriten taksat për qytetarët e Tiranës. Kraja tha se një faturë e një familje në Tiranë kushton të paktën 75 mijë lekë çdo muaj. Ai u shpreh se nga 55 milionë euro, tani qytetarët dhe bizneset duhet të nxjerrin nga xhepat 100 milionë euro.

Deklaratë e këshilltarit bashkiak të PD Akil Kraja:

Pas kalimit të paligjshëm të buxhetit 2018, një familje në Tiranë do t’i paguajë Bashkisë më shumë taksa! Për një familje në Tiranë “më shumë taksa”, përkthehet në një faturë që kushton të paktën 75 mijë lekë çdo muaj. Kjo rritje taksash është “dhurata” e vitit të ri që Veliaj u bën familjeve të Tiranës.

Nuk është hera e parë që Veliaj rrit taksat. Që kur Erion Veliaj, mori drejtimin e kryeqytetit, rritja e taksave është politikë konstante e tij. Në fund të vitit 2016, të ardhurat e mbledhura nga taksat e tarifat arritën një rekord të panjohur më parë – 55 milion euro në vit.

Por ky nuk është fundi i rekordit të Erion Veliajt. Ne buxhetin e vitit të ri 2018, i kaluar me vota të blera dhe të paligjshme, Erion Veliaj kerkon te dyfishoje te ardhurat nga taksat.Nga 55 milionë euro, tani, qytetarët dhe bizneset duhet të nxjerrin nga xhepat 100 milionë euro.

Le të bëjmë një llogari të thjeshtë për faturën mujorë 75 mijë lekë në muaj që një familje i paguan Bashkisë së Tiranës. Uji i pijshëm është rritur me 50 %. Nga rreth 10.000 lekë tani do të paguhet 15.000 lekë/muaj;

Tarifa e shërbimit është rritur 100 %, nga 1.000 lekë do të bëhet 2.000 leke. Në faturën e UKT-së shtohet dhe Taksa e re e ndërtesës, e cila është rritur 10 fish, nga 1000 lekë/muaj, do të paguajmë, minimalisht, 10.000 lekë në muaj. Tarifa e pastrimit është 4.200 lekë. Taksa e arsimit është një taksë e re e shtuar me buxhetin e këtij viti, 1500 lekë.

Në faturën 75 mijë lekë në muaj përfshihet edhe kostoja e 1 aboneje autobuzi, që është rritur me 50 %. Nga 12 mijë lekë, tani kushton 16.000 lekë. Pjesë e shtrenjtimit të jetës në Tiranë është edhe pagesa për parkingun më rrugët kryesore të Tiranës, që, për çdo automjet familjar, llogaritet në të paktën, 15.000 lekë në muaj.

Në faturën familjare mund te perfshihet edhe tarifa mujore prej 10 mijë lekësh, mesatarisht, e mirëmbajtjes së pallateve.

Kjo nuk është një llogari politike. Është llogaria që bën çdo familjar demokrat apo socialist, i interesuar për politikë apo indiferent ndaj saj. 75 mijë lekë në muaj është një taksë e rëndë për ta paguar me shkelqimin e rremë të dritave në qendër të Tiranës.

Është në dorën tonë ta ndalojmë këtë dhunë taksash, që nuk përkthehet në investimet e duhura për qytetin. 75 mijë lekë çdo muaj janë shumë për t’ia paguar një kryebashkiaku që po e blen pushtetin me paratë dhe pasuritë e Tiranës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: