Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kanë prezantuar buxhetin e Shëndetësisë për 2022 para mjekëve dhe infermierëve, ku deklaruan prioritetet e investimeve me buxhetin e ri.
Gjatë dëgjesës publike me mjekë dhe infermierë për buxhetin e shëndetësisë 2022, Manastirliu bëri me dije se falë punësimeve të reja, nga 1.1 mjek për 1000 banorë në 2013 sot është arritur në dyfishimin e kësaj shifre.

“Është fakt shifra e 1.1 mjek për 1000 banorë që gjetëm ne 2013. Sot fakti është që kemi rritur në 1.9 numrin e mjekëve për 1000 banorë. Nuk është më e mira, por është pothuaj dyfish. Janë 1200 mjekë të përgjithshëm dhe specialistë të punësuar në 4 vitet e fundit dhe 3800 infermierë janë punësuar nëpërmjet portalit “Infermierë për Shqipërinë”, tha Manastirliu.
Manastirliu nënvizoi se do të vijojë mbështetja e mjekëve dhe infermierëve me rritje tjetër të pagave me 6%.
“Për mjekët dhe infermierët buxheti 2022 garanton: Rritje pagash për mbi 18 mijë personel shendetësor në sistem. Bonus 2,5 milion për personelin që punon larg vendbanimit. Incentiva financiare për shërbime të dedikuara në strukturat spitalore rajonale dhe bashkiake”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se me aplikimin e modelit të ri të autonomisë spitalore dhe kuadrit të ri ligjor, do t’i jepet fund fenomenit të mbrapshtë në marrëdhënien mjekë-pacientë.

“Duhet që të jemi dhe shumë vigjilentë, për të mos lejuar që ndonjë pikë e izoluar e zezë e rënë aty-këtu, mbi detin e dobive që prodhon mjekësia, të ndosin të bardhën e madhe të saj, ndaj po të punojmë qoftë nëpermjet digjitalizimit qoftë nëpërmjet kuadrit të ri ligjor për modelin e ri të autonomisë spitalore për të adresimuar mes të tjerash dhe çdo fenomeni të mbrapshtë që duhet eleminuar një herë e mirë. Vetëm kështu do t’ia dalim ta forcojmë akoma më shumë besimin e publikut dhe marrëdhënien mjek-pacient”, nënvizoi Manastirliu.

Duke folur për përmirësimet në shëndetësi Manastilriu tha se jemi kritikët e parë të vetes sonë, me qëllim që çdo kritikë të sjellë përmirësimin e sistemit shëndetësor dhe shërbiemve ndaj qytetarëve.

“Unë e para e di se sa shumë probleme mbeten për t’u zgjidhur, se sa shumë sfida mbeten për t’u tejkaluar, se sa shumë rrugë kemi për të bërë, deri kur të mbërrijmë aty ku e duam Shëndetësinë. Për fat, ne kemi një tipar të vlefshëm: Jemi kritikët e parë të vetes sonë. Dhe kjo na bën të jemi pranues për çdo kritikë e sugjerim që synon përmirësimin e sistemit dhe shërbimeve”, tha Manastirliu.
Gjatë fjalës së saj para mjekëve dhe infermierëve, Manastirliu tha se me buxhetin e shëndetësisë për vitin 2022 do të fuqizohet i gjithë sistemi shëndetësor falë të gjitha investimeve që janë duke u kryer dhe atyre që do të kryhen në vazhdim.

“Buxheti 2022 garanton modernizimin e infrastrukturës së shërbimit shëndetësor në të gjitha nivelet, duke nisur nga qendrat e kujdesit parësor, deri tek spitalet universitare. Nis rehabilitimi, zgjerimi dhe pajisja me aparatura të teknologjisë së lartë të Spitalit Infektiv, me standardet e një qëndre reference të sëmundjeve infektive. Nis rikonstruksioni i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.Modernizimi i QSUT – vijon me përfundimi e fazës së parë, të ndërtimit dhe pajisjes me aparatura mjekësore të teknologjisë së avancuar të Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme. Përfundojmë rikonstruksionin dhe pajsjen e Spitalit Pediatrik Elbasan, Maternitetit te Kukesit. Përfundojmë rehabilitimi i Qendrës Kombëtare të Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve dhe vijojmë ndërtimin dhe rikonstruksionin e Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Investojmë në rrjetin e imazherisë, duke zhvilluar teknologjinë dhe inovacionin në shërbimet spitalore”, tha Manastirliu në fjalën e saj.

Në dy mandate është rritur me 85% finanimi publik për shëndetësinë. Buxheti 2022 për shëndetësinë do të jetë 63 miliard e 515 milion lekë, +7 miliard lekë më shumë se buxheti fillestar i vitit 2021.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb