Deputeti socialist Erion Braçe në Komisionin e Ekonomisë i ka kërkuar Ministrisë së Financave analizë për të gjitha kontrata koncesionare dhe cili është përftimi nga to.

“Koncesioni është instrument i vlefshëm kur kontratat zgjidhen me transparencë, me garë, kur merret çmimi më i mirë i mundshëm, dhe në rastet kur sektori është një sektor kur shtetit nuk bën dot asgjë. Por për sektor që kanë të bëjnë me sigurinë dhe fluksin e mallrave është e tepërt kontrata koncesionare. Shqetësimi im është monitorimi i kontratave, kush është efektiviteti i këtyre kontratave. E kam bërë 100 herë këtë pyetje dhe nuk kam marrë përgjigje”, tha Braçe.

Edhe opozita në komision akuzoi qeverinë se në buxhetin e vitit 2022 nuk ka të publikuar asgjë për risqet që mbartin kontrata koncesionare.
“Në asnjë fjalë të buxhetit dhe relacionit nuk flitet për risqet e kontratave të PPP, inceneratori i Tiranës thoshte 1 mld lek në vit, në vitin pasardhës paguam në rritje 1.8 mld lekë. Janë paguar 30 mln euro më shumë që si ke të llogaritura. Buxheti nuk reflekton situatën reale”, deklaroi Tabaku.

“Kontratat koncesionare, pagesat e PPP janë në nivelin 3% të të ardhurave totale të mbledhura nga 5%”, tha ministrja Ibrahimaj.
Qeveria do të kontraktojë 1,7 miliardë euro koncesione të reja vitin e ardhshëm. Janë 7 kontrata të reja që janë listuar në projekt buxhetin 2022, ku koncesioni me vlerë më të madhe është ai i ndërtimit të një prej segmenteve rrugore, autostradës Milot-Fier me vlerë 1.4 mld euro.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb