Deputeti i PS, Pandeli Majko, kritikoi mungesën e investimeve të qeverinë në qarkun e Kukësit, ku së fundmi, ai është emëruar drejtues politik i PS-së.

Nga foltorja e Kuvendit, përpara se të votonte pro tij, Majko u shpreh se buxheti i shtetit duhet të jetë prezent edhe në zonat e tjera dhe jo vetëm në qendrat e mëdha urbane si Tirana dhe Durrësi.

Deputeti i PS-së tha se investimet e parashikuara në buxhetin e vitit 2023 për qarkun e Kukësit lënë për të dëshiruar, por kërkoi që duhet ndarë nëse kjo vjen si pamundësi për shkak të krizës apo nga dëshirat e qeverisë.

Për Pandeli Majkon, buxheti është fotografia e asaj që jemi dhe duam të jemi, por u shpreh se në kohën kur në Tiranë flenë ëndrrat e jetesës në Kukës flenë mundësitë e mbijetesës, ndërsa shpresa e tij e vetme për vitin që vjen janë FSHZH-ja dhe AZHBR-ja, duke kërkuar prej tyre financime.

“Projektet e aplikuara nga FSHZH-ja dhe AZHBR-ja, këto dy agjenci shtetërore janë shpresa kryesore në rajonet më të varfra të vendit për të përfituar fonde apo projekte investimi në favor të iniciativave private të banorëve të këtyre zonave. Kur kthej kokën nga qarku i Kukësit për të cilin kam marrë detyra politike dhe kam një angazhim personal mendoj se investimet e shkruara në buxhetin e vitit për këtë qark lënë për të dëshiruar. Fondet e FSHZH-së dhe AZHBR-së duhet të jenë balancues të zhvillimit ekonomik për rajone si Kukësi përballë qarqeve si Tirana apo Durrësi.

Viti 2022, i vështirë. Ne duhet ta kalojmë së bashkë këtë krizë pavarësisht se i bërtasim me zë dhe pa zë qeverisë dhe fajësisë së saj pa faj. Ajo që duhet të ndajmë me qetësi janë pamundësitë e krizës nga dëshirat e qeverisë. Buxheti është fotografia e asaj që jemi dhe duam të jemi. Ndërsa në tiranë flenë ëndrrat e mbijetesës në Kukës flenë mundësitë e mbijetesës. Forca e një kombi është sa ajo e pikës së tij më të dobët. Jam i bindur se nuk ka shumë për të zgjedhur. Ose do të ecim përpara ose do sorollatemi duke pyetur për kursin e rublës, Shqipëria nuk duhet t’i dorëzohet këtij kursi. Unë do të votoj pro ligjit për vitin 2023″, tha Majko.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb