Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka teksa komentoi buxhetin e 2023-shit, pohoi se me këtë buxhet do të dyfishohet rrjepja e shqiptarëve.

I ftuar në ‘Frontline’ në ‘News24’ Noka tha se policët e ndershëm po ikin, ndërsa SHISH vuan mungesën për punonjës. Sipas tij ky është buxheti i gomoneve, duke shtuar se qeveritarëve nuk iu dalin më eurot por paguhen me lingota ari.

“Ky buxhet është dyfishim i rrjepjes së shqiptarëve. Vetëm nga taksa e karburantit që ka rritur Sulltani i Surrelit i janë rrjepur 500 mln euro shqiptarëve në këtë periudhë. Vetëm nga taksat. Kjo është e vërteta. Ndaj është dyfishuar buxheti. Nuk është se është dyfishuar prodhimi bujqësor këtu dhe po paguan më shumë taksa, apo prodhimi industrial. Nuk është se janë dyfishuar rrogat, apo investimet. Janë tendera për t’u mbajtur Sulltani. Tenderat janë të gjitha korruptive. Në Kamzë janë rrënuar 15 shkolla. Asnjë nga këto shkolla nuk ishte e dëmtuar nga tërmeti, ishin në rregull. U rrënuan se duhen bërë tendera dhe duhen vjedhur paratë. Shkollat në Bashkinë e Kamzës janë me 3 mln euro ndërsa në atë të Tiranës janë me 5 mln euro. Ndaj është dyfishuar vjedhja dhe rrjepja që u bëhet shqiptarëve. Ccfarë ju jep shqiptarëve ky buxhet? A e dini se po ikin nga sytë këmbët oficerët më të mirë që ka ky vend. Po ikin sepse paguhen më pak se një shofer. Ata përballen me krimin. Polici dinjitoz ikën, se nuk lufton dot krimin se krimi është i lidhur me qeverinë. Ata nuk sigurojnë dot të ardhurat. A e dini ju se SHISH është në krizë punonjësish! Sepse po ikin. Ata se kanë në mendje të shohin këtë vend. “Thanas shtrëngo rripin” iu thonë shqiptarëve, por për vete kanë nisur me kallëpet e arit, me lingotat, si dalin më eurot. Oborrtarët kanë filluar me lingota.”, tha Noka për gazetaren Marsela Karapanço.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: