NGA FATMIRA NIKOLLI

TIRANE- Projektbuxheti i Ministrisë së Kulturës për vitin 2016 është paraqitur dje në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Ajo bëri me dije se për vitin 2016 buxheti është 1 miliard e 654 milionë e 309 mijë lekë (1,654,309,000), ndërsa ndahet në këtë mënyrë: a)Planifikimi e menaxhimi marrin 131,966,000 lekë, b- Trashëgimia Kulturore merr 525,759,000 lekë dhe c)-Arti dhe Kultura marrin 996,584,000 lekë.

Ka edhe një fond tjetër, prej 250 milionë lekësh, që është investim i huaj, prej të cilit, 68 milionë lekë janë fonde për rehabilitimin e parkut arkeologjik të Apollonisë, ndërsa 182 milionë janë pjesë e ‘fondit grek’ për rikonstruksionin e TOB. Sipas Kumbaros, në total buxheti i MK-së është 1 miliardë e 904 milionë e 309 mijë lekë, ndërsa rritja në krahasim me vitin 2013 është 26%, me 2014-ën është 17.5% dhe me vitin 2015 rritja do jetë 12%.

SI NDAHEN DHE KU INVESTOHET
Mbasi sqaroi para deputetëve se fondi i pagave të punonjësve është i pandryshueshëm (883,500,000 lekë), Kumbaro foli për rritje të të ardhurave nga biletat, rritje të numrit të spektatorëve, rritje të financimit të projekteve, rritje të numrit të premierave në teatro(nga 2 në vit, në 7 në vit), prezantoi edhe sukseset në fushën e librit, që nga “Traduki”, fondi i përkthimit, pjesëmarrja në Lajpcig, dhe sqaroi se këtë vit do të shtohet fondi për pasurimin e Bibliotekave të rretheve. Investimet, sipas saj, do zënë vendin kryesor në buxhet.

“Do bëjmë revolucion në investime. Kemi kthyer në kantier ndërtimi katër teatro: Qendra Kombëtare e Artit në Tiranë, që do ketë dy skena (440 dhe 250-vendëshe), ku do kalojë Teatri Kombëtar (me kosto totale 572 milionë lekë), dhe ndërkaq po rikonstruktohen teatri i Korçës dhe ai i Shkodrës, në bashkëpunim me bashkitë. Në Shkodër po ndërtohet muzeu ‘Marubi’, ndërsa është drejt fundit ndërtimi i Muzeut të ri të Ikonave të Artit Mesjetar në Korçë. Ndërkaq, në Tiranë vijon projekti i ‘Muzeut të Gjethit’ me vlerë 75 milionë lekë”.

Kumbaro lajmëroi se ka ndërhyrje në tjera rehabilituese në godinën e Ministrisë së Kulturës, ku do gjendet strehë edhe për Zyrën Shqiptare të të Drejtave të Autorit, Qendrën e Inventarizimit të Pasurive Kulturore dhe Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik. Një tjetër investim i rëndësishëm është Qendra Kombëtare e Fëmijëve, e cila tani është në një bodrum prej vitit 2008. Edhe ajo do të shkojë pranë Ministrisë së Kulturës, sepse është në kushte aspak normale. Sikundër dihet, rikonstruksioni i TKOB-së do bëhet me grantin e qeverisë greke me vlerë 1.5 milionë euro, ndërsa do të rritet fondi i mirëm-bajtjes së trashëgimisë kulturore. Mbas kësaj pasqyre, vijuan pyetjet e deputetëve të komisionit parlamentar për ministren.

PYETJE-PËRGJIGJE
Eleni Qirici(PD): A është menduar shpërblimi për artistët? KUMBARO: Artistët që punojnë në sistemin publik janë përfshirë në sistemin e pagave. Baza ligjorë që kemi nuk parashikon shpërblim, as shtesë në honorare. Dikur paguheshin edhe artistë që nuk jetonin fare në Shqipëri; ne e prishëm këtë moçal dhe vumë kontrata me bazë projektet ku konkurrohet për role. Te projektet e skenës së pavarur, Ministria e Kulturës financon zërin për krijimtari artistike.

BEDRI HOXHA(PD): Territore të ndryshme larg Tiranës kanë ob-jekte me vlera arkeologjike që s’kanë përkujdesje. S’ka tabela orientuese, s’ka asgjë që të tregojnë për to. Keni planifikuar gjë? Unë nuk i konstatoj ato që ju paraqitët për specialistët e trashëgimisë në rrethe.

KUMBARO: Sistemi ka qenë si e thatë ju. Ne kemi çuar specialistë atje ku nuk kishte: në Bilisht, Kukës, Përmet, Krujë. Rrjeti është më funksional se më parë. Në vitin 2016 do ketë sërish investime, ndërsa sivjet kemi miratuar 46 projekte restaurimi.

BEDRI HOXHA(PD): Ju folët për ndërtime rreth monumenteve. Ç’mendim keni ju për një ndërtim këtu mes Tiranës tek Ushtari i Panjohur? (Pallati mbi Tyrben e Kapllan Pashës) Dhe si qëndron çështja e transportit të ikonave të Gjergji Thimios? Ajo që thatë ju për terrenin nuk qëndron. Specialistët e trashëgimisë nuk kanë logjistikë që të kontrollojnë një qark të tërë.

KUMBARO: Për sa i përket ndërtesës te Partizani i panjohur…

BEDRI HOXHA(PD): Nuk keni qenë ju ministre atëherë.

KUMBARO: Unë flas çfarë kam bërë tani me të.

BEDRI HOXHA(PD): Si specialiste e si ministre, ç’qëndrim keni për ndërtimin?

KUMBARO: E ndajmë ministren nga specialistja. Jam ministre, specialiste e restaurimeve nuk jam. Si ministre ndjek specialistët. S’ka pasur ndonjëherë kaq inspektime në terren sa tani.

BEDRI HOXHA(PD): Kush tha se s’ka pasur? Nga e dini ju?

KUMBARO: E thonë punonjësit. Sa i takon tyrbes, ka kaluar në Këshillin Kombëtar të Restaurimit një projekt i plotë i restaurimit të saj, dhe investitori e merr përsipër. Projekti është bërë në harmoni të ruajtjes së objektit dhe nxjerrjes në pah të tij përmes një sfondi të konceptuar specifikisht, duke krijuar aty një kënd meditimi. Ka kombinim të ndërtesës ekzistuese. Do kisha kënaqësinë t’ju tregoja vetë projektin.

BEDRI HOXHA(PD): E kam parë. Kam medituar disa herë aty.

KUMBARO: S’ka mundësi të kesh medituar, se nuk ka mbaruar projekti. Se keni pasur ende këtë mundësi. Ditën që të realizohet, zoti deputet…

BEDRI HOXHA(PD): Ju duhej të thoshit së është gabim ndërtimi dhe gabim ai vendim i Këshillit Kombëtar…

KUMBARO: Nuk ju ndërpreva. Nuk marr përsipër të gjykoj për ndërtimin që ka lejet e veta. Unë marr përsipër projektin që ka qenë objekt i shqyrtimit të Këshillit Kombëtar të Restaurimit që unë drejtoj. Ju nuk keni pasur mundë-si të meditoni, sepse projekti nuk është realizuar; kur të bëhet, shkojmë bashkë.

IKONAT
KUMBARO: Prej vitit 2013 nuk ka qenë periudhë e lumtur mbajtja e tyre në katin e tretë të GKA-së. Ne dhe GKA-ja kemi qenë në komunikim me prokurorinë, sepse e quanin të domosdoshme çlirimin e asaj hapësire. U gjet vendi për t’u zhvendosur dhe janë dërguar në një ndër magazinat për ruajtjen e fondeve të Muzeut Historik Kombëtar. Relacionin e kemi gati dhe do jua dorëzoj. Erdhi vendimi nga prokuroria që lejon zhvendosjen. Pati kohë të shkurtër mbas njoftimit të prokurorisë për zhvendosjen me mjetet e policisë. Punonjësve të GKA-së nuk iu lejua t’i administronin. Me njoftimin më të parë që u mor, për atë transport është bërë pezullimi, dhe atë transport edhe unë, si ju, e quaj joprofesional. Me specialistë që shoqëruan policinë u bë transporti ndryshe, me ambalazhim të objekteve të pajisura me kartela. (Tregon foto nga ambalazhimi në GKA dhe gjatë transportit për në muze.) Ka edhe imazhe që ne kemi shoqëruar policinë gjatë transportit.

BEDRI HOXHA(PD): Kjo është rruga e fundit?

KUMBARO: Është një ndër rrugët, zoti deputet. E para, e fundit, si të dëshironi ju. Ndërsa, sa u takon punonjësve të trashëgimisë në terren, tani e kanë logjistikën. Janë ata që e kanë bërë inventarin e monumenteve. Ata nuk kishin fonde, mjete e makina. I kemi pajisur me kamionçina; nuk kanë pasur asnjëherë.

BEDRI HOXHA(PD): Domethënë keni blerë 6 kamionçina.

KUMBARO: Po, gjashtë. Që nga momenti që s’kishin asnjë, 6 kamionçina janë revolucion.

ALFRED PEZA: Inventarizimi i monumenteve është arritje, por shumë monumente kanë dalë jashtë Shqipërisë, në Metropolitan, New- York, Londër, Stamboll (e ka fjalën për objekte të trashëgimisë, si për shembull thesari i Vrapit). Dihet ku janë dhe cilat janë? Greqia po lufton për t’i marrë nga Anglia.

KUMBARO: Ne punuam për inventarizim dhe falë kësaj baze të dhënash, ne lidhemi me terminalet, me policinë, sepse çdo objekt pajiset me pasaportën e vet, e detektohet njësoj si njerëzit. Pasi regjistrohet objekti, ne e dimë kur lëviz, kur ikën e kur kthehet. Do kryejmë këto që kemi brenda territorit, më pas ato jashtë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb