FIER-Ulja e pagave me 10% për administratën dhe anëtarët e Këshillit të Qarkut të Fierit, bazuar në buxhetin për këtë vit, ka sjellë pakënaqësi të shumta. Kreu i Komunës Frakull, Viktor Çervanaku, përfaqësues i PS është shprehur me një gjuhë të ashpër se qeveria po nëpërkëmb Fierin, bën shkarkime pa marrë parasysh se papunësia po i merr frymën popullit. Madje sipas Çervanakut, me taksat e reja, ‘popullin e lanë pa poture dhe pa spinaq’.

Çervanaku thekson se kryekomunarët nuk përfillen aspak nga qeverisja qendrore.
“Në radhë të parë të marrim pagat, se po flasim e nuk dëgjojmë njëri-tjetrin e po dalim këtu, njëri më i zgjuar se tjetri e s’po dëgjojmë. Ata dy këshilltarë që kam, duan të marrin pagat. Nuk janë as të mitë as të tutë, i ka zgjedhur populli. Ti si kryetar i Komitetit Qendror të Fierit nuk ke fut asnjë nga këta drejtorat që bredhin lirisht këtu si gangstera, pale në kryetarët e komunave, se ne nuk na pjerdh njeri fare këtu”.
Kryekomunari nuk kurseu as ironinë ndaj kryeministrit Edi Rama.
‘Tani dhe hajdutë jemi bërë, ça s’jemi bërë. E mban mend ça u thoshte kur vinte, fjalët më të bukura, sa u bë kryeministër na futi grepat të tërëve. Është mirë që ato gënjeshtrat t’i kthejë e të bëjë ndonjë gjë ai tani”.

“Të bëjmë një buxhet serioz se për këtë jemi këtu. Kush të jep të drejtën ty të heqësh 70 veta nga puna. E vendosim ne këtu me votë, nëse e meritojnë, nëqoftëse nuk e meritojnë, nuk do hiqen nga puna”.
Kreu i Komunës Frakull, Viktor Çervanaku përfaqësues i PS, ka hedhur akuza ndaj ministrit të Financave, Shkëlqim Cani që sipas tij ka favorizuar qarkun e Dibrës duke lënë pas dore Fierin, edhe pse bastion i majtë.
“Apo se është ministri nga Dibra dhe merr Dibra 1 miliard e gjys lek investime dhe Fieri që është kryeqytet i socialistëve në thonjëza merr 78 milionë lekë. Po ne s’jemi të vdekur këtu. Fieri është 16 deputetë, pavarësisht se janë të majtë e të djathtë, po e pe si u puthën me njëri-tjetrin, po se janë shokë ndaj. Këtu zihemi ne, kurse kur dalim nëpër kafe, hamë e pimë bashkë. Mirë është që t’ja bësh të qartë atij ministrit të Enver Hoxhës që Qarku i Fierit është qarku më i madh në Republikë’.
Sipas kryekomunarit, gjendja në fshat është e mjerueshme aq sa në tryeza mungon dhe spinaqi.
“Po ca do i shkurtosh administratës? Po ne për një vend pune po vritemi. Vemi te ajo zyra nuk gjejmë gjë, vijmë këtu nuk na pjerdh njeri. Nuk po na pjerdh njeri fare, me këtë gjuhë po flas, po më falni o vëllezër e motra po ja jemi dhe 6 muaj e do vijnë të tjerë. Po këta 6 muaj jemi ne, dhe është mirë që ti këto 6 muaj të përpilosh një procesverbal se nuk ka nevojë për shkurtime në administratë. Apo taksat. Ca ti jap më atij unë. Se ai hiq këtej e hiq andej, na la pa poture fare. Po ca të të jap taksë unë tani. Populli ka mbetur pa ngrënë spinaq tani, pa pantallona ore. Ore ik në fshat e shiko, po hanë me listë, po hanë misër”.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: