“Buxheti i vitit 2019 mundëson mbështetjen direkte për rreth 30 mijë familje që do të përfitojnë çekun e bebes për çdo të porsalindur”. Gjatë prezantimit të projektbuxhetit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në komisionin e Shëndetësisë në Kuvend, Ministrja Manastirliu theksoi se për këtë politikë të re sociale, janë parashikuar 2 miliardë lek  në buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Duke filluar nga Janari 2019, garantojmë shpërblimin për çdo të porsalindur, 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë. Kjo politikë e re sociale mbështet drejtpërdrejt fëmijët, familjen dhe zhvillimin e shoqërisë”, tha Manastirliu.

Buxheti i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2019 është 74 miliard e 594 milion e 377 mijë lekë ose sa 4.26% i PPB, me një rritje prej 5% krahasuar me vitin 2018. Investimet në shëndetësi kanë rritjen më të madhe me mbi 20%, parashikuar në këtë projekt-buxhet.

“Rehabilitojmë 100 qendra shëndetësore dhe ambulanca në vitin 2019 me vlerë investimi rreth 300 milion lekë, në kuadër të programit tonë për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore brenda këtij mandati, 80 prej të cilave po përfundojnë këtë vit”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se me këtë buxhet financohen projektet madhore në QSUT, disa maternitete dhe spitale rajonale.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se viti 2019 do të ketë sërish rritje page për stafin mjekësor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb