Në kulmin e pandemisë̈ Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj ka vendosur të hapë një̈ tjetër tender të panevojshëm për kohën, këtë herë në fushën e transportit. Bëhet fjalë për një prokurim në vlerën 2 milionë dollarë vetëm për të regjistruar në një bazë të dhënash linjat e transportit mes qyteteve thënë ndryshe implementimin e një platforme elektronike e-transport.

Në faqen e saj zyrtare Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit bën një justifikim të gjatë duke e cilësuar këtë një risi të re e cila do të lehtësojë transportin e qytetarëve, ndërkohë nga ana tjetër nuk detajohet se nga është nxjerrë kjo kosto kaq e lartë për këtë shërbim kompjuterik.

Dokumenti mban firmën e drejtores së AKSHI-t Mirlinda Karçanaj. Por a është vërtet ky tender i domosdoshëm për qytetarët në këtë moment që po kalon vendi? Prokurimi i Agjencisë Kombëtare të shoqërisë së informacionit vjen në një kohë kur buxheti i qeverise është në vështirësi të mëdha për shkak të krizës ekonomike të shkaktuar nga koronavirusi por edhe nga tërmeti i 26 nëntorit dhe kur të ardhurat minimale në arkën e shtetit nuk po arrijnë dot të financojnë shërbimet bazë, si ato në shëndetësi.

Mjafton të kujtosh faktin se për shtimin e testeve për COVID-19, dhe rritjen e shtretërve nëpër spitale qeveria i është drejtuar Bankës Botërore për të marrë 15 milionë euro borxh. Apo që sot me mijëra familje të pastreha nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit enden rrugëve për të marrë ndihmë. Fakti tjetër që e bën këtë tender të panevojshëm është situata aktuale ku ndodhet sot transporti publik në Shqipëri, me udhëtime të kufizuara, linja të përgjysmuara si pasojë e pandemisë dhe në kufijtë e falimentimit nga bllokimi i gjatë si dhe kur nuk dihet se kur do të rikthehet jeta si më parë. 2 milionë dollarë mund të duken pak për drejtuesen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së informacionit Mirlinda Karçanaj, por për arkën e boshatisur të shtetit tonë të varfër që po mbahet në pjesën më të madhe vetëm me borxh këto para mund të shërbejnë shumë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb