NGA VALENTINA MADANI
Buxheti i akorduar për diplomacinë shqiptare parashikon që bashkëshortët e ambasadorëve shqiptarë nëpër botë për herë të parë do të paguhen me rrogë. Në buxhetin e Ministrisë së Jashtme për 2017-ën është parashikuar një fond prej 100 milionë lekësh për familjarët e diplomatëve tanë. Ministria e Punëve të Jashtme e quajti “Paketa e Diplomatit” dhe do të aplikohet për herë të parë.

Gruaja ose burri i ambasadorit ose ambasadores do të paguhen 450 euro në muaj në vendet e BE. Ndërsa, secili prej fëmijëve të tyre përfiton një bonus për shkollim 180 euro. Ndërsa, në vendet ku valuta e përdorur është dollari, pagesa shkon 500 $ në muaj për bashkëshortët dhe 200 për fëmijët.

Ndërkaq, për bashkëshortet e diplomatëve do të paguhen që nga janari i 2017-ës, kontributet për sigurimet shoqërore. Në buxhetin e ri të vitit 2017 në vijim të ligjit të ri për shërbimin e jashtëm të miratuar para disa muajsh do të zbatohet për herë të parë paketa e diplomatit që parashikon: “Çdo diplomat që shërben jashtë, për bashkëshortin/en dhe për çdo fëmijë do të marrin 450 € për bashkëshortin dhe 180 € për çdo fëmijë (në vendet ku pagesa është me €) dhe 500$ për bashkëshortët dhe 200 $ për fëmijët (në vendet ku pagesat bëhen me $). Kjo do të mundësohet falë një shtese prej 1 miliard lekësh të vjetra në buxhet të MPJ. Për bashkëshortet e diplomatëve do të paguhet që nga janari 2017, kontributet për sigurimet shoqërore. Këtë e përfitojnë të gjithë diplomatët që shërbejnë jashtë atdheut.

DEBATI
Prezantimi i buxhetit të Ministrisë së Jashtme nga ministri Ditmir Bushati në Komisionin e Jashtëm u shndërrua dje në përplasje për çështje ekonomike më shumë se diplomatike. Shifrat që deputeti i Partisë Demokratike, Kastriot Islami përmendi për buxhetin, për ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati ishin thashetheme dhe për këtë deputeti demokrat reagoi ashpër ndaj ministrit të Jashtëm. Ky i fundit iu drejtua ministrit Bushati: “Ti je një rrugaç, je rrugaç, injorant, nuk duhet të jesh më ministër”. Por, Bushati vazhdoi fjalimin e tij, ndërsa ndërhyri sërish Islami duke i thënë injorant.

“Unë them 25, pse 25, pse 20, unë them kaq, ti thua… Loja e kungulleshkave”, tha z.Bushati. Kryerja e komisionit Arta Dade ndërhyri duke thënë: “Ruani qetësinë, ruani etikën”, por Islami reagoi sërish: “Ai po flet me gjuhë rrugaçësh, ne po themi mendimin tonë”. Dade vazhdoi: “Ju lutem shumë keni durim, ne kemi shumë durim, ju dëgjojmë, le të japë ministri qëndrimin e tij”. Bushati shtoi: “Ju lutem duhet të mbani qëndrim për gjuhën e përdorur”.

“Po, patjetër, do mbahet qëndrim. Nuk do lejoj këtë gjuhë”, deklaroi zj.Dade. Por, pasi iu mohua fjala, deputeti Bumçi akuzoi Bushatin: “Ministria e Jashtme ka arritur në këto nivele të ulëta falë teje, njeri i skandaleve jashtë Shqipërisë, turp të vijë! Ty të vijë turp! Ordiner, rrugaç dhe ordiner! Ordiner i ulët!”.

Gjatë diskutimit të buxhetit të Ministrisë së Jashtme, ministri Bushati tha se këtë vit për herë të parë do të zbatohet paketa e diplomatit, që parashikon shpenzimet e bashkëshortit të titullarëve që shërbejnë jashtë vendit, të cilët do të përfitojnë 450 euro, ndërsa 180 euro për çdo fëmijë. Pagesa do të fillojë nga janari 2017. “Për herë të parë, edhe si pasojë e ligjit të cilin ne e miratuam së bashku në Kuvend në 2015-ën, ne do të kemi një buxhetim jo thjesht për diplomatin, por edhe për bashkëshortin apo bashkëshorten që shoqëron diplomatin në postin apo përfaqësinë diplomatike dhe për fëmijët”, deklaroi z.Bushati.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb