Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali gjatë seancës së sotme plenare, ku pritet të miratohet projekt-buxheti i vitit 2019,  nuk ka kursyer  sulmet për opozitën, e cila vijon bojkotin e parlamentit.

Deputetja socialiste gjatë fjalës së saj në Kuvend, tha se është fatkeqësi që opozita godet çdo nismë të qeverisë, edhe nëse prej tyre varet fati i vendit.

“Në shoqërinë tonë kemi prirje për lokalizëm dhe funksionojmë në lidhjen me ndarjen. Ne nuk do jemi më një vend me kaq e aq banorë, ne do jemi një vend me masë të konsiderueshme, një vend relativisht i madh në rajon.

Nuk do të jemi më vend me gegë dhe toskë, shqiptarë të asaj krahine apo kësaj krahine. Është fatkeqësi se  opozita jonë edhe në rastin  kur Shqipëria diskuton në Bruksel, nuk është prezente por merr gurët dhe godet çdo iniciativë. Unë dua të inkurajoj qeverinë që të vazhdoj me ketë nismë”, u shpreh ajo.

FJALA E PLOTË E DEPUTETES SË PS ELISA SPIROPALI
Në këto ditë festash këtëj e andej kufirit valon flamuri kombëtar. Shqiptarët kudo, manifestojnë me krenari 28 Nëntorin, këtë datë që shënon themelimin e shtetit tonë. Në themel të krenarisë së kësaj date qëndron simboli i flamurit, shqiponja me dy krena në fushë të kuqe. Ky simbol na përbashkon kudo dhe gjithmonë, në kohë dhe në te gjitha hapësirat tona.

Takimi i fundit i qeverisë se Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës në Pejë dhe vizioni i shpalosur nga të dy Kryeministrat për afrim dhe bashkim të shqiptarëvë ngjall entuziazëm kudo ndër shqiptarë, të cilët ndoshta jo të gjithë e kuptojnë, por ama plotësisht e ndjejnë domosdoshmërinë e kësaj platforme bashkimi. Ndërkohë, sigurisht ka ngjallur mërinë e faktorëve konfliktualë në rajon të frikësuar nga ideja e forcimit të shqiptarëve. Por ka ngjallur edhe mërinë e zevzekëve dhe grindavecëve tanë të kurdondodhur këndej e andej kufirit. S’ka problem. Me kakarisjet e ngrehalucëve jemi mësuar.

Sa i takon opozitës tonë e cila e ka zbrasur gjithë arsenalin e mjerë të banalitetit kundër iniciatorit dhe mbështetësit më të fortë të kësaj platforme, Kryeministrit, është për t’u kuptuar, madje për t’u mëshiruar. Egërsia e paqedershme e sulmeve të një opozite të katandisur në këtë derexhe’, nuk buron nga kundërshtimi i bashkimit, por nga tmerri i vertshkatërrimit për shkak të mungesës së çdo vizioni për të ardhmën.

Po na dërdëllisin se bashkimi i shqiptarëve është çështje folklorike, çështje emocionale, dhe ky koncep i përket të shkuarës.

Pikërisht këtu ngatërrohen dhe gabohen kozmopolitët tanë mesjetarë. Bashkimi i shqiptarëve nuk i takon të kaluarës. Bashkimi i shqiptarëve i takon të ardhmes. Ky bashkim nuk është vetëm çështje emocionale, por është edhe çështje racionale edhe çështje e interesit tone kombëtar që duan shumë mund për t’u arritur.

Të dy shtetet shqiptare në Ballkan jetojnë brenda një kontradikte nga ku buron mungesa jonë e zhvillimit. Ne kemi dy shtete të dobëta edhe pse kemi një komb të fortë, i cili e ka dëshmuar historikisht fuqinë e tij mbijetuese të jashtëzakonshme. Një komb i fortë ka nevojë për shtet të fortë. Ne duhet të ndërtojmë shtet për kombin, dhe jo kombe të ndryshme për të dy shtetet tona. Shtetet bashkohen në strukturën e BE, ndërkohë kombet bashkohen duke thyer barrierat mes vedi. Bashkimi Europian nuk është një strukturë e sheshtë, por një katedrale hierarkike. Ne e dëshirojmë me të gjitha energjitë tona që kombi jonë të jetë pjesë e familjes evropiane, të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Sa më të fuqishëm të jemi para se të hyjmë, aq më mirë do i kemi punët kur të jemi brenda. Para dy ditësh morëm lajmin e mirë se Parlamenti Europian votoi me shumicë votash raportin e 2018s për Shqipërinë, i cili mbështet plotësisht rekomandimin e Komisionit Europian që negociatat me Shqipërinë duhet të hapen si njohje e përpjekjeve reformuese të bëra nga Shqipëria. Miqtë e Shqipërisë në Parlamentin Europain meritojnë mirënjohjen më të thellë.

Por nuk mund të rrimë pa shprehur zhgënjimin që Kosovës iu premtua por nuk iu dha liberalizimi i vizave. Eshtë e papranueshme dhe e pakuptueshme që shqiptarët e Kosovës vazhdojnë mbahen peng i dinamikave të brendshme të vendeve të BE ndërkohë që Serbia, jo vetëm lëviz pa viza, por ka hapur negociata përpara Shqipërise, pa e njohur fare Kosovën.

Kosova ka bërë një rrugë të jashtëzakonshme në ngritjen e shtetit, respektimin e të drejtave të minoriteteve dhe përpjekjeve të jashtëzakonshme për dialog të hapur me Serbinë, ndërkohë Serbia nuk e sheh Kosovën të ndarë nga Serbia dhe bën çmos për minimin e ardhmërisë së Kosovës. Serbia pengon Kosovën në të gjitha përpjekjet për njohje në institucione ndërkombëtare, pengon çdo lloj malli të hyjë nga Kosova në Serbi, por bërtet kur Kosova vendos reciprocitet sepse dëshiron që Kosova të vazhdojë të jetë një koloni tregtarë e Serbisë me emrin Kosovë – Metohi. Kur shqiptarët do fillojnë të bashkohen, aspiratat hegjemone dhe delirante të Serbisë dhe cdo force tjetër radikale në vendet fqinje do të zbrapsen. Ne nuk do bëhemi bashkë që të sulmojmë. Ne do bëhemi bashkë që të mbrohemi dhe të zhvillohemi.

Ne jemi kombi më besnik në Ballkan ndaj Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Kurrë nuk kemi flirtuar me faktorë të tjerë gjeopolitikë dhe nuk kemi treguar kurrë asnjë dyfytyrësi në raport me fshinjët. Përkundrazi, kemi dëshmuar se jemi faktori më i sigurtë i stabilitetit në rajon. Por kombit shqiptar i ështe bërë një padrejtësi e madhe historike, ndarja. Ne duhet të kryejmë korrigjimin e kësaj padrejtësie. Nuk mundet që fajtorët të shpallen viktima dhe viktimat të durojnë të mbeten të tilla përgjithmonë. Kosovës nuk mund t’i refuzohet padrejtësisht liberalizmi i vizave dhe Serbia të vazhdojë e patrazuar negocimin e kapitujve pa njohjen e sovranitetit të Kosovës. Është jashtëzakonisht motivuese ajo që dy Kryeministrat shpallën për krijimin dhe financimin e një përpjekje të përbashkët për të hartuar një dokument analitik dhe strategjik; Rruga e bashkimit të shqiptarëvë në horizontin e 2025-ës. E ardhmja i përket bashkimit të shqiptarëve. Po ashtu, një grup masash të nënshkruara nga të dyja qeveritë janë hapa të mëdhenj përpara; zero barriera tarifore dhe jo-tarifore, tranziti i përbashkët doganor në Durrës, i cili duhet të shkojë drejt bashkimit doganor, 1 doganë e përbashkët në Morinë (e kemi doganën e përbashkët me Malin e Zi në Muriqan, kush janë ata që thone nuk mund ta kemi me Kosovën?!), heqja e të gjithë dokumentacionit absurd për import export me dy pale letra të autoritetit të ushqimit, heqja e roamingut mes dy vendeve, njohja e patentave etj etj. Këto masa të rëndësishme mund të kthehen në shembuj sesi mund të ecim përpara në terrenin e bashkimit ekonomik, lidhja energjetike Kosovë-Shqipëri, unioni doganor fiskal e monetar, një kombtare në çdo sport, një akademi të shkencave dhe të arteve. Ne duhet ta kuptojmë se bashkimi i shqiptarëve është i domosdoshëm, për të siguruar zhvillim ekonomik. Shqiptarët nuk janë të varfër sepse janë të paaftë, por sepse janë të ndarë. Shqipëria ka det, male, ujëra, pasuri nëntokësore. Kosova po ashtu ka pasuri natyrore dhe nëntokësore. Pasuritë këndej dhe andej mund të kombinohen dhe komplementarizohem fare mirë për një zhvillim ekonomik të jashtëzakonshëm.

Bashkimi i shqiptarëvë do na shpëtojë nga kompleksi i kombit të vogël. Ne kemi shtete të vogla, por jemi komb i madh. E keni parë se edhe në shoqërinë tonë kemi prirje për krahinizëm, provincializëm, lokalizëm, refuzuesa të demokracisë, të gjitha pasoja të faktit që jemi komb i ndarë. Me bashkimin e shqiptarëve ne sigurojmë një bazë të gjerë legjitimiteti, masën e nevojshme popullore për një demokraci më cilësore. Nuk do të jemi më një vend me kaq e aq milionë andej e këndej, gegë e toskë, veri e jug, por shqiptarë të bashkuar nga vizioni për emancipim dhe zhvillim kombëtar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb