TIRANE- Të ardhurat në buxhetin e shtetit janë rritur gjatë këtij viti në krahasim me një vit më parë. Kështu, sipas statistikave paraprake nga Ministria e Financave, vihet re se gjatë 5-mujorit të parë të këtij viti, të ardhurat janë realizuar në masën 151.1 miliardë lekë, ose 6.5 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Sipas të njëjtave burime, totali i shpenzimeve arriti për periudhën 5-mujore në vlerën e 161.2 miliardë lekë, ndërsa deficiti buxhetor është në vlerën e 9.7 miliardë lekëve. Mësohet se edhe pse të ardhurat janë në nivel më të lartë se një vit më parë, përsëri këto tregues për 5-mujorin e parë të këtij viti nuk ishin në nivelin e pritshëm, edhe pse në fillim të këtij viti hyri në fuqi paketa e re fiskale, ku pati një sërë rritje taksash, me anë të cilave pritej që të mbushej arka e shtetit.

Kështu, duke iu referuar këtyre të dhënave, deri më tani janë realizuar vetëm 37% e planit vjetor, çka tregon se tendenca e këtij zëri në treguesit fiskalë nuk është ajo e pritshmja. Edhe pse qeveria kishte synim të rriste të ardhurat nëpërmjet rritjes së taksave, por edhe përmirësimit të performancës së administratës fiskale, duket se kjo nuk është në ritmin e duhur dhe të parashikuar në fillim të vitit, kohë kur hyri në fuqi dhe ligji për buxhetin e shtetit.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb