Deputeti i Partisë Socialiste dhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në fjalën e tij në Kuvend ndërsa po diskutohet në lidhje me buxhetin e vitit 2023, ka kritikuar qeverinë.

Ai ka shtuar se buxheti duhet të përdoret për të pasur më shumë rezultate në sistemin e drejtësisë. Xhafaj u shpreh se debati për buxhetin tregon se vendi ka një legjislaturë të dobët.

“Debati për buxhetin duhet të ishte çdo fundvit angazhimi ynë më serioz, obligimi më i rëndësishëm Kushtetues e moral. Kjo është një legjislaturë shpërfillëse më e dobët se kurrë. Fryma e debatit normal, konsensusit politike, etikës politike, është zëvendësuar nga konflikti i ashpër politik i ndërtuar mbi batutën fyese, shprehjet përçmuese e jo rrallë ordinere, gjuhën e baltës dhe shpifjes.

Kjo lloj qasje është shndërruar në normalitet e instrument i të ashtuquajturës luftë politike.

Në këtë kohë kur kemi realisht një krizë ekonomike të përbotshme, e pse jo shkëndija konfrontimi force në Ballkan kjo mungesë përgjegjshmërie për të dialoguar qetësisht për çështje kaq madhore nuk e nderon këtë sallë por e turpëron para kombit.

Ka shumë arsye pse në këtë legjislaturë të bësh debat të këtij niveli, por një gjë është e sigurt, kjo sallë e çfarë ndodh këtu një nga arsyet kryesore pse ka shifra kaq të larta negativiteti në sondazhet e barometrave të ndryshëm që na ndëshkojnë fort por dhe pse ka kaq shumë pesimizëm, mosbesim e dëshpërim jashtë saj e veçanërisht tek të rinjtë dhe pse një pjesë e tyre vijojnë të largohen nga vendi.

Kjo retorikë e turpshme ca më keq ka dalë dhe jashtë kësaj salle në gjuhë të huaj ku vendi po shënjohet si simbol i shumë të këqijave. Dëm më të madh nuk mund t’i bëhet imazhit të vendit e sidomos mijëra shqiptarëve që po enden dyerve të botës për një jetë më të mirë. Jemi përfshirë në këtë vorbull ethesh pushteti e marrëzie politike.

Buxheti të përdoret për efektivitetin e drejtësisë. Njerëzit e drejtësisë duhet të japin rezultate konkrete veçanërisht në luftën kundër korrupsionit.

Me reformën në drejtësi ka ndryshuar formatimi i institucionit të drejtësisë, por nuk ka ndryshuar ose ka ndryshuar shumë pak qasja ndaj sistemit. Nuk është vonë për të reflektuar”, tha ai.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: